Thirrja për aplikim të studentëve në programet certifikuese të Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri

18 Tetor 2022
SHARE

Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e Universitetit të Prishtinës (QEQ) ju fton të bashkoheni në programet më aktuale dhe më inovative ndërdisiplinore në Universitetin e Prishtinës – programet certifikuese të QEQ-it:

  1. Energjia e Ripërtërishme dhe Qëndrueshmëria
  2. Menaxhimi i Energjisë dhe i Mjedisit

Studio disa nga sfidat më aktuale në botë – ndryshimet klimatike, qëndrueshmërinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e energjisë në komunitet dhe më shumë – me profesorë kryesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe nga jashtë. Programet do të ofrojnë kurse të fokusuara nga shumë fakultete. Të diplomuarit e programeve do të marrin certifikatë universitare krahas diplomës së tyre bachelor apo master.

Të drejtë aplikimi kanë studentët nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë të regjistruar së paku semestrin e dytë të studimeve bachelor si dhe të gjithë studentët e nivelit master. Programi fillon në semestrin dimëror të vitit akademik 2022/23.

Për të marrë certifikatën e veçantë universitare Energjia e Ripërtërishme dhe Qëndrueshmëria dhe Menaxhimi i Energjisë dhe i Mjedisit, studentët, brenda periudhës dyvjeçare, duhet të përfundojnë me sukses katër kurse nga lista e kurseve ndërdisiplinore të ofruara në QEQ (varësisht në cilin program janë regjistruar), përkatësisht të fitojnë 20 kredi ECTS. Çdo kurs do të ofrojë pesë kredi ECTS, të cilat do të llogariten si shtesë e kredive të fituara në kuadër të programeve përkatëse të diplomimit të studentit.

Kurset që do të ofrohen këtë semestër në kuadër të programit Energjia e Ripërtërishme dhe Qëndrueshmëria janë: Energjia Alternative (O), Bazat e Energjisë së Erës (Z), Bazat e Qëndrueshmërisë Mjedisore (Z), Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa (Z), Vlerësimi i Performancës së Ndërtesave, Monitorimi dhe Kontrolli (Z), Energjia dhe Shoqëria (Z); kurse në kuadër të programit Menaxhimi i Energjisë në Komunitet janë: Parimet e Menaxhimit të Energjisë, Esenca e Gjurmëve për Zhvillim të Qëndrueshëm (Z), Promovimi i Energjisë së Pastër dhe Përfshirja e Komunitetit, Ekonomia e Projekteve të Qëndrueshme Energjetike, Energjia Alternative (Z), Bazat e Qëndrueshmërisë Mjedisore, Proceset e Gjelbra për Qëndrueshmëri (Z) dhe Ekoklimatologjia dhe Biomasa (Z).

Tarifa e regjistrimit për programin certifikues është 25 Euro.

Studentët e interesuar për programet certifikuese mund t’i marrin të gjitha informatat në ueb-faqen e QEQ-it: https://qeq.uni-pr.edu/

Aplikimet e kompletuara dorëzohen në zyrat e QEQ-it (Administrata Qendrore) deri më  30 tetor 2022.

Procedura e aplikimit realizohet përmes: https://studenti.uni-pr.edu/