Universiteti i Prishtinës dhe ‘HERAS Plus’ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

05 Mars 2021
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Projekti për Arsim të Lartë, Hulumtim dhe Shkencat e Aplikuara Plus (‘HERAS Plus’) kanë nënshkruar, të premten, memorandumin e mirëkuptimit, nëpërmes të cilit UP-ja do të përfitojë përkrahje institucionale dhe teknike në ngritjen e kapaciteteve për zhvillimin e mëtejmë institucional, përfshirë avancimin e planifikimit strategjik, promovimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, bashkëpunimin ndërkombëtar, e të tjera fusha.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Naser Sahiti, me këtë rast, i falënderoi Projektin ‘HERAS Plus’, donatorët e projektit, si dhe partnerët e tjerë brenda konsorciumit austriak, me ndihmën e të cilëve implementohet ky projekt i rëndësishëm për mbështetjen e sektorit të arsimit të lartë në Kosovë. “Është kënaqësi e vërtetë që bashkëpunimin e kahershëm që kemi me HERAS-in sot ta shndërrojmë në një bashkëpunim formal, nëpërmjet nënshkrimit të këtij memorandumi. Objektivat e parapara në këtë dokument do ta ndihmojnë UP-në në realizimin e caqeve të përkufizuara në kuadër të planit strategjik, qoftë në fushën e cilësisë dhe rritjeve shkencore, ashtu edhe në menaxhimin e përgjithshëm të UP-së,” theksoi rektori Sahiti.


Udhëheqësi i projektit të HERAS+, z. Aqim Emurli, deklaroi se përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, po formalizohet një bashkëpunim i shkëlqyer, që tashmë ekziston, ndërmjet projektit ‘HERAS Plus’ dhe UP-së. Emurli shtoi se memorandumi është edhe një mundësi për ta avancuar edhe më shumë këtë bashkëpunim, sepse në të janë të shtjelluara të gjitha pikat që do të adresohen përgjatë implementimit të projektit (2020-2023), ku UP-ja do të përfitojë përkrahje me ekspertizë dhe me shkëmbim të përvojave më të mira austriake në fusha të ndërlidhura me zhvillimin dhe fuqizimin e përgjithshëm të universitetit.


Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të memorandumit mori pjesë edhe znj. Sandra Horina, udhëheqëse e zyrës në Prishtinë të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Znj. Horina shprehu kënaqësinë që është dëshmitare e një tregimi suksesi, ku duket qartë se menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës dhe ekipi i projektit ‘HERAS Plus’, me kujdes, i kanë identifikuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ato i kanë përfshirë në këtë memorandum mirëkuptimi. Me këtë rast ajo konfirmoi se donatorët austriakë mbetën të përkushtuar të mbështesin arsimin e lartë në Kosovë dhe inkurajoi Universitetin e Prishtinës që t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofron projekti ‘HERAS Plus’.

Projekti ‘HERAS Plus’ është bashkëfinancim i Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës. Projekti synon që brenda 3 vjetëve (2020-2023) të mbështesë agjendën evropiane të Kosovës në fushën e arsimit të lartë. Specifikisht,  ‘HERAS Plus’ angazhohet në zhvillimin e arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor, si dhe në zhvillimin  e shkencave të aplikuara në Kosovë në harmoni me standardet evropiane, siç janë ato të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Zonës Evropiane të Hulumtimeve Shkencore (ERA).