Lansohet projekti “Të ushqyerit” nga studentët e UP-së

07 Maj 2020
SHARE

“Të ushqyerit” është projekti më i ri i studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me anë të të cilit ata synojnë t’i shërbejnë komunitetit. Gjatë izolimit në shtëpi dhe nëpërmjet ligjëratave virtuale, studentët e Departamentit të Teknologjisë Ushqimore me Bioteknologji, në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, e ideuan këtë projekt, i cili ka për qëllim që të ndajë me komunitetin informacione të bazuara shkencërisht mbi ushqimin dhe të ushqyerit e drejtë.

Projektin në fjalë ata e lansuan me anë të uebfaqes: http:teushqyerit.uni-pr.edu, dritare në të cilën ata do të ndajnë njohuritë e tyre mbi ushqimin dhe të ushqyerit e drejtë, dietat e balacuara si dhe rekomandimet ushqimore që vijnë nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës – FAO.

Studentët, të prirë nga prof. ass. dr. Arbenita Hasani dhe asistentja Kaltrina Berisha, do të krijojnë videomateriale edukuese, të cilat do të ndërlidhen me ushqimin gjatë pandemisë së COVID-19.

Studentët dhe stafi i Universitetit të Prishtinës, që nga përhapja e pandemisë COVID-19, kanë kontribuar në iniciativa të ndryshme, ku vlen të theksohet kontributi i Fakultetit të Mjekësisë për angazhimin e studentëve vullnetarë në ndihmesë të institucioneve shëndetësore, ndihmesa e Departamentit të Psikologjisë në trajnimin dhe angazhimin e psikologëve në Linjen për Ndihmë Psikologjike MSH-UP, si dhe lansimin e uebfaqes shëndetimendor.uni-pr.edu, si dhe në ndihma laboratorike dhe me staf profesional të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhënë për Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Universiteti i Prishtinës, së bashku me stafin dhe studentët, mbetet i përkushtuar të ndihmojë qytetarët në ruajtjen e shëndetit të tyre, familjes dhe me këtë të kontribuojë në shëndetin e komunitetit në përgjithësi.