“Bisedo me psikologun” shërbimi i ri i ndihmës për shëndetin mendor nga UP-ja

07 Maj 2020
SHARE

Nga sot Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Departamenti i Psikologjisë, lanson shërbimin e ofrimit të ndihmës së parë psikologjike përmes "Chat" apo bisedës në faqen shendetimendor.uni-pr.edu. Përdorimi i shërbimit është shumë i thjeshtë dhe është anonim.

Ky shërbim është në dispozicion për të gjithë qytetarët, të cilët kanë vështirësi emocionale ose kanë nevojë të ndajnë shqetësimet e veta gjatë pandemisë COVID-19.

Qytetarët mund t’i qasen shërbimit nga faqja shendetimendor.uni-pr.edu dhe të klikojnë në ikonën “Fillo Bisedën”, që gjendet në këndin e poshtëm të djathtë të faqes. Shërbimet ofrohen prej orës 13:00 deri në ora 01:00 pas mesnate.

Ky është shërbimi i katërt me radhë, që ofrohet nga Departamenti i Psikologjisë pas funksionalizimit të linjave të ndihmës së parë psikologjike me Ministrinë e Shëndetësisë, 038 200 80 890, dhe Komunën e Prizrenit, 0800 19 200, si dhe lansimit të seancave psikoedukuese për shëndetin mendor.

Me këtë rast duam të falënderojmë studentët, psikologët, kolegët dhe të gjithë vullnetarët, që kanë mundësuar realizimin e këtyre shërbimeve. Prandaj, si menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, ashtu edhe stafi i Departamentit të Psikologjisë u shpreh vullnetarëve mirënjohje për kontributin e dhënë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtyre shërbimeve, të cilat janë në dispozicion të gjithë popullatës së Kosovës, por edhe më gjerë. 

Zhvillimi i shërbimit të ofrimit të ndihmës së parë psikologjike përmes “chat” është mundësuar nga Komuna e Prizrenit.