Lë fizikisht këtë botë dr. Isuf Dedushaj, Universiteti i Prishtinës ngushëllon familjen dhe personelin akademik e shkencor

03 Shkurt 2025
SHARE

Personeli mësimor dhe studentët e Universitetit të Prishtinës e pranuan me dhimbje të thellë lajmin për vdekjen e profesorit Isuf Dedushaj dhe ngushëllojnë familjen e tij, miqtë dhe të pikëlluarit, për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Dedushaj, në 74 vjetët sa jetoi fizikisht mes nesh, ishte profesor shumëvjeçar në Fakultetin e Mjekësisë, prodekan i këtij fakulteti në dy mandate dhe autor i 112 punimeve shkencore në Kosovë dhe jashtë saj.

Mjeku Dedushaj ishte epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, ndërsa u shkollua e specializoi në Prishtinë, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci. Shkroi disa monografi shkencore dhe libra universitarë për epidemitë, sëmundjet e rrezikshme ngjitëse e jongjitëse dhe imunitetin ndaj tyre.

Ai dijen nuk e donte vetëm për vete, prandaj gjatë tërë jetës u kujdes që atë ta shpërndajë te studentët, profesionistët shëndetësorë dhe njerëzit e vendit.

Epidemiologu i njohur, sikurse edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës, e përjetoi përndjekjen në vitet ’90 për arsye politike dhe etnike, por aktivitetet e tij nuk u ndalën asnjëherë. Dedushaj mblodhi të dhëna për të gjithë mjekët shqiptarë anembanë botës dhe në vitin 2019 botoi Enciklopedinë e doktorëve të shkencës së mjekësisë shqiptare gjithandej globit.

Mjekët si Dedushaj nuk vdesin asnjëherë e mbeten në kujtesën e njerëzve, sepse përveç mantelit, kanë edhe zemrën e bardhë.