Akademiku Minir Dushi, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës, profesor i Fakultetit Teknik dhe autor i shumë librave, ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare.
Universiteti i Prishtinës, duke pranuar me dhimbje këtë lajm të trishtë, ngushëllon familjen, miqtë, të pikëlluarit dhe mbarë popullin e Kosovës për këtë humbje të madhe.
Dushi ishte nga intelektualët e parë të Kosovës, të shkolluar nëpër qendra tjera të ish-Jugosllavisë, që u kthyen për t’i ngritur nga fillimi dhe me themele të forta universitetin dhe akademinë e shkencave.
Akademik Dushi, gjatë jetës së tij plot sfida e rezultate, ishte edhe rektor i Universitetit të Prishtinës në vitet 1981-1983, ndërsa punoi, mes tjerash, edhe si profesor në Fakultetin e atëhershëm Teknik të këtij universiteti.
Autori i dhjetëra librave shkencorë e universitarë, nga Senati i Universitetit të Prishtinës, në 25 vjetorin e themelimit, kishte marrë titullin e nderit „Profesor emeritus”.
Njerëz të tillë, si akademik Minir Dushi, janë të papërsëritshëm dhe largohen nga jeta vetëm fizikisht, sepse veprat dhe puna e tyre mbeten përjetësisht.