Në tre muaj, mbi 50 anëtarë të stafit përfitojnë nga shkëmbimet në kuadër të Erasmus+

28 Prill 2023
SHARE

Në vetëm tre muajt e fundit, 56 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ nga Universiteti i Prishtinës kane përfituar nga mundësitë e programit Erasmus+, duke u përzgjedhur për shkëmbime të mësimdhënies ose trajnimit në universitete të ndryshme partnere evropiane.  

Nëpërmjet këtyre mobiliteteve, ata kanë ndarë ekspertizën e tyre, por kanë fituar njohuri të reja në fushat e tyre përkatëse. Këto shkëmbime u mundësuan nga marrëveshje të shumta, që janë iniciuar dhe zhvilluar nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë, si dhe njësitë akademike të UP-së.

Lidhur me këtë, rektori Qerimi ka theksuar përkushtimin e tij për ndërkombëtarizimin dhe promovimin e përsosmërisë akademike, duke e konsideruar këtë sukses në kuadër të Erasmus+ si një dëshmi shtesë të këtij angazhimi.

Ndërkaq, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare, Arta Basha-Jakupi, tha se rezultatet pozitive të programit Erasmus+ janë një lajm i mirë për të gjithë, meqë pjesëmarrja në këtë program ofron një mundësi të shkëlqyer për të zhvilluar aftësitë personale dhe akademike, dhe për të ndërtuar rrjetet e kontakteve ndërkombëtare.

Programi Erasmus+ është një nismë e Bashkimit Evropian, që synon të mbështesë arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në të gjithë Evropën. Programi ofron mundësi të shkëlqyer për të promovuar përsosmërinë akademike, shkëmbimin kulturor dhe ndërkombëtarizimin në arsimin e lartë.

Për thirrjet e hapura, klikoni vegëzën më poshtë:

Mundësi - Universiteti i Prishtinës (uni-pr.edu)