Njoftim: Senati i Universitetit të Prishtinës merr vendim për largimin e përkohshëm, përkatësisht suspendimin nga puna të prof. asoc. dr. Bekim Bejta

12 Prill 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës është tërësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis akademik të sigurt dhe gjithëpërfshirës, ku të gjithë studentët mund të prosperojnë, ndaj dhe nuk toleron asnjë formë të sjelljes së papërshtatshme dhe denigruese ndaj tyre. Në kujdes dhe funksion të mirëqenies dhe të drejtave të studentëve, por edhe të mirëqenies së personelit akademik, është vendosur të ndërmerren masa tashmë të nevojshme për të garantuar këtë mjedis të sigurt dhe të ndershëm akademik për të gjithë studentët dhe personelin akademik.

Me këtë rast njoftojmë se Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbledhjen e mbajtur më 12 prill 2023, ka diskutuar për shqetësimet e ngritura lidhur me sjelljen joakademike dhe joetike të prof. asoc. dr. Bekim Bejta, mësimdhënës në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze të Fakultetit të Filologjisë, pas ankesave dhe denoncimeve të paraqitura dhe të përsëritura në Këshillin e Etikës. Mbledhjes së Senatit i ka paraprirë mbledhja e Kolegjiumit të Dekanëve dhe veprimet e tjera të menaxhmentit të UP-së, që në kohë sa më të shpejtë të mundshme dhe brenda kompetencave të tij, ta trajtojë rastin në fjalë.

Pas një procesi të rregullt institucional, diskutimeve dhe vlerësimit me kujdes të rrethanave faktike dhe bazës ligjore, Senati i UP-së ka vendosur njëzëri që profesor Bejta të suspendohet nga detyra e tij në Universitetin e Prishtinës, ku i ndalohet çdo angazhim me studentët dhe fakultetin.

Mbështetur në ligjin në fuqi, kjo masë do të zgjasë për më së shumti gjashtë (6) muaj, deri në përfundimin e procedurës disiplinore të iniciuar në Këshillin e Etikës dhe marrjen e vendimit përfundimtar nga ky organ, pa përjashtuar këtu efektin që mund të kenë procedurat ligjore dhe veprimet e autoriteteve tjera kompetente jashtë institucionit. Suspendimi i profesorit Bejta është një masë e përkohshme, ndërkohë që Senati i Universitetit të Prishtinës do të punojë me përkushtim që të sigurojë një proces të drejtë dhe të paanshëm, ku do të ndërmerren veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit dhe përfundimin e procedurave para Këshillit të Etikës dhe këshillimin ose qëndrimin zyrtar të këshillit të njësisë akademike.

Gjatë periudhës së suspendimit nga puna, prof. asoc. dr. Bekim Bejtës i ndalohet qasja në vendin e punës, qasja në platformat zyrtare elektronike dhe qasja në objektet e universitetit. Menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë, në bashkërendim me departamentin përkatës, do të sigurojë shpërndarjen e orëve të lira mësimore, me qëllim të realizimit të programit mësimor, vlerësimit dhe udhëheqjes akademike të studentëve.

Senati i Universitetit të Prishtinës i merr seriozisht pretendimet për gjuhë dhe sjellje joetike dhe joakademike dhe nuk do të tolerojë asnjë sjellje që dëmton mirëqenien dhe përvojën arsimore të studentëve.

Si një institucion i vlerësuar i arsimit të lartë, Universiteti i Prishtinës përpiqet të nxisë një mjedis mësimor pozitiv dhe gjithëpërfshirës për studentët dhe personelin akademik, ndaj dhe sjelljet joetike janë të papranueshme dhe bien ndesh me vlerat e krijuara dhe të kultivuara tashmë me dekada në UP.