Për herë të parë në Universitetin e Prishtinës dhe në Kosovë erdhën rektorja e Kolegjit Akademik Arab në Haifa të Izraelit, Randa Abbas dhe rektori i Universitetit të Teknologjisë së Akabas në Jordani, Mohammed Alweshah.
Mysafirët nga këto dy vende të largëta i priti rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, bashkë me prorektoren për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha dhe dekanin e Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi.
Të tre rektorët u pajtuan që pa edukim të mirëfilltë nuk mund të bëhet asgjë dhe se vetëm edukimi mund ta sjellë paqen në botë.
Fakultetet e edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe Kolegjin Akademik Arab të Haifas së Izraelit kanë nisur një projekt të përbashkët, në të cilin pritet të përfshihet edhe Universiteti i Teknologjisë së Jordanisë.
Projekti që po lansohet këtë javë në Prishtinë, financohet nga Ministria e Integrimit Rajonal në Qeverinë e Izraelit dhe ka aktivitete për hulumtim në fushën e shfrytëzimit të inteligjencës artificiale, në përgatitjen e mësimdhënësve të rinj si dhe aktivitete tjera të përbashkëta të stafit akademik dhe studentëve.
Në takim u kërkuan rrugë edhe për mundësi tjera bashkëpunimi në kuadër të projekteve evropiane Erasmus+ e Horizon dhe gjatë zhvillimit të edicionit të 25-të të Universitetit Veror të Prishtinës.
Për shtim të kontakteve mes Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve të Izraelit ishte folur edhe në takimin që rektori Arben Hajrullahu e pati me ambasadoren e këtij shteti Tammy Ziv, në fund të janarit 2025.