Cem Zorlu, rektori i Universitetit „Necmettin Erbakan” të Konjas së Turqisë, me rektorin e Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu, kërkuan mundësitë dhe fushat ku dy institucionet mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin.
Rektori Hajrullahu, derisa tregoi për historinë dhe rezultatet e Universitetit të Prishtinës, foli edhe për sfidat e këtij institucioni të arsimit të lartë, në një konkurrencë me universitetet globale, në kohën e inteligjencës artificiale.
Ai e njoftoi mysafirin e tij se UP-së i nevojiten bashkëpunime në fushat e shkencave, inxhinierisë e teknologjisë informative, pasi njohuritë e fituara nga këto fusha u ndihmojnë studentëve më vonë në jetë për të gjetur punë më lehtë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës përmendi edhe fusha tjera bashkëpunimi që mund të mos jenë atraktive për tregun e punës, por janë të nevojshme për sferën shpirtërore, kulturore e historike, duke marrë shembull nevojën e Kosovës për osmanologë, studiues dhe njohës të gjuhës, zakoneve e praktikave të kohës së Perandorisë Osmane.
Cem Zorlu, rektori i Universitetit „Necmettin Erbakan”, tha se studentët kosovarë po të vijnë në Konja, në kampuset e këtij universiteti, do të zbulojnë një gur të çmuar të fshehur, pasi sipas tij, kjo krahinë e Turqisë është e pasur me monumente historike të disa perandorive e dinastive.
Ai propozoi projekte e hulumtime të përbashkëta shkencore, shkëmbim studentësh, ndërsa tregoi se në krahinën e Konjas ekzistojnë pesë universitete me 130 mijë studentë.
Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti „Necmettin Erbakan” mund të nënshkruajnë në të ardhmen memorandum mirëkuptimi.