Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbime akademike në Universitetin e Prishtinës, Rozafa Basha dhe prorektori për mësimdhënie dhe çështje të personelit akademik, Naim Jerliu, zhvilluan një takim të frytshëm me profesorin Paolo Contu, dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe Kirurgjisë në Universitetin e Cagliarit, Itali.
Në takim mori pjesë edhe profesoresha Merita Koçinaj-Berisha nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës.
Profesori Contu, i cili është gjithashtu zëvendëspresident për Evropë në Unionin Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit dhe Edukimit (IUHPE), po qëndron në Prishtinë me rastin e Simpoziumit të 13-të Concha Colomer-it.
Ky aktivitet, i organizuar nga Konsorciumi Evropian i Trajnimit për Shëndet Publik dhe Promovim Shëndetësor (ETC-PHHP), do të mbahet më 24 janar në Fakultetin e Mjekësisë, me temën-bosht „Komunikimi në Promovimin Shëndetësor”.
Gjatë takimit, u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy universiteteve, bashkëpunimet akademike dhe hulumtuese, si në fushën e mjekësisë ashtu edhe në disiplina të tjera. Gjithashtu, u theksua rëndësia e lidhjes së një marrëveshjeje ndërinstitucionale në kuadër të programit Erasmus+, që do të mundësonte mobilitetin për personelin akademik dhe studentët mes dy universiteteve.
Në takim u diskutua edhe për mbështetjen e mundshme në zhvillimin e programeve të reja akademike në Fakultetin e Mjekësisë, duke përfshirë ekspertizën dhe mbështetjen nga Universiteti i Cagliarit.
Këta hapa paraqesin një zhvillim të rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të cilësisë akademike në Universitetin e Prishtinës.