Universiteti i Prishtinës fiton grant shkencor nga Qeveria Austriake

09 Dhjetor 2024
SHARE

Qeveria Austriake, përmes institucionit të saj „Austrian Development Cooperation” dhe programit „APPEAR” (Austrian Partnership Programme in Higher Education Research and Development), ia ka miratuar Fakultetit të Edukimit një projekt hulumtues dyvjeçar që ka për qëllim shqyrtimin e programeve ekzistuese të edukatës qytetare si dhe përgatitjen e mësimdhënësve për vlera demokratike.

Projekti me titull "Përgatitja e Mësimdhënësve Transformues për Demokracitë në Zhvillim" do të zbatohet në partneritet me Universitetin e Gracit dhe gjatë dy vjetëve të ardhshëm, profesorë e studentë nga të dy universitetet do të analizojnë modelet më efikase për zhvillimin e shkathtësive praktike për avokim të vlerave demokratike dhe të qytetarisë në sistemin shkollor.

Projekti, krahas realizimit të përbashkët të hulumtimit nga stafi dhe studentët, parasheh edhe publikime të përbashkëta shkencore dhe zhvillimin e kapacitetit hulumtues në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë.

Ky është projekti i parë nga Kosova në kuadër të programit „APPEAR” dhe si i tillë dëshmon edhe progresin dhe përkushtimin e Universitetit të Prishtinës për të zhvilluar shkencën e për të kontribuuar në zhvillimin shoqëror në Republikën e Kosovës. 

Universiteti i Prishtinës ka bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm me institucione austriake të arsimit të lartë dhe vetë shtetin austriak.