Universiteti i Prishtinës lidh bashkëpunim me Universitetin Panteion të Athinës

04 Dhjetor 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Panteion të Shkencave Politike dhe Sociale në Athinë, Greqi.

Marrëveshja u formalizua gjatë një takimi në Rektoratin e Universitetit Panteion, ku rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe rektorja e Universitetit Panteion, prof. Christina Koulouri, nënshkruan këtë marrëveshje.

Në takim ishin të pranishëm edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbime akademike, prof. Rozafa Basha, udhëheqësi i Departamentit të Shkencës Politike në Universitetin Panteion, prof. Dimitris Christopoulos, si dhe udhëheqësi i Zyrës së Kosovës në Greqi, z. Fitim Gllareva.

Marrëveshja synon të nxisë bashkëpunimin në arsim, shkencë dhe teknologji, duke u fokusuar në shkëmbimin e njohurive dhe inovacionin. Ajo përfshin gjithashtu nisma për shkëmbime të personelit akademik dhe studentëve midis dy universiteteve.

Rektori Hajrullahu dhe prorektorja Basha vizituan gjithashtu Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit Panteion, ku u takuan me drejtoreshën znj. Eleni Vasileou. Ata diskutuan mbi mundësitë e mobilitetit të studentëve dhe personelit në kuadër të programit Erasmus+ dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në kuadër të Horizon Europe.

Universiteti Panteion, institucioni më i vjetër në Greqi për shkencë politike dhe sociale, është një partner i rëndësishëm në këtë marrëveshje, duke shënuar një kapitull të ri në bashkëpunimet ndërkombëtare të Universitetit të Prishtinës.