Në një takim të rektorit Arben Hajrullahu dhe ekipit të tij me studentë dhe të diplomuar me nevoja të veçanta, u diskutua se si Universiteti i Prishtinës të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë.
Në takim me rektorin Hajrullahu dhe prorektorët morën pjesë studentët Betim Bregovina, Lum Ilazi, Marigona Hamiti dhe alumni e UP-së, ish-studentja Mimoza Musliu.
Rektori Hajrullahu tha se secili njeri është unik në këtë botë dhe di të bëjë diçka më mirë se të tjerët, ndërsa theksoi se në mandatin e tij do të angazhohet për një universitet sa më gjithëpërfshirës dhe një shoqëri të integruar e të barabartë për të gjithë.
Prorektorja Rozafa Basha që në vazhdimësi ka bërë hulumtime dhe auditime për qasjen e personave me nevoja të veçanta në objektet e Universitetit të Prishtinës dhe objekte tjera, vlerësoi se, edhe pse janë bërë përparime, mbetet ende për t’u bërë që të gjitha objektet e UP-së të jenë plotësisht të qasshme për këta persona.
Në Universitetin e Prishtinës tanimë funksionon Qendra për Studentët me Nevoja të Veçanta, me pajisje të nevojshme mësimore për personat me nevoja të veçanta.
Betim Bregovina, që ka kryer studimet master për psikologji shkollore dhe këshillim dhe në fushën e edukimit, por edhe studimet themelore pedagogjike, tha se përmirësimet për studentë me nevoja të veçanta duhet nisur nga gjërat e vogla që nuk kushtojnë shumë, për të mbërritur te ato për të cilat duhen mjete dhe resurse njerëzore. Ndërsa, Mimoza Musliu që ka kryer studimet master për pedagogji, ngriti shqetësimin se shumë studentë me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi t’i nënshtrohen provimit të maturës dhe pastaj nuk mund të studiojnë në Universitetin e Prishtinës.
Në takim, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës u zotua se do të angazhohet konkretisht për adresimin e problemeve për të cilat u diskutua.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, 3 dhjetorin e ka shpallur Ditë Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta.