Në Universitetin e Prishtinës u hap edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare — Shënon 50-vjetorin e themelimit

19 Gusht 2024
SHARE

Sot kanë filluar punimet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që këtë vit shënon 50-vjetorin e themelimit.

Në ceremoninë e hapjes, të pranishmëve me një fjalë mirëseardhjeje iu drejtua rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili theksoi traditën dhe vlerën e çmuar të Seminarit, si dhe krenarinë e mburrjen që vjen me të. “Ky edicion është fort i veçantë, sepse shënon decenien e pestë të themelimit të Seminarit, një organizim i pashoq në fushën e Albanologjisë, burim krenarie e frymëzimi për çdo albanolog, studiues e akademik”, deklaroi rektori Qerimi. Ai shtoi tutje se Seminari i Prishtinës sot 50 vite pas themelimit, i ngjan përfytyrimit më të bukur dhe ëndrrës së etërve të tij themelues, një medium i përvitshëm zhvillimesh, risish, debati shkencor në fushë të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës sonë të pasur e të dashur. “Një organizim universitar që bën bashkë prurjet shkencore dhe mësimin për gjuhën shqipe, duke na krenuar secilën herë për numrin e të rinjve dhe të rejave, që për dy javë zgjedhin të mësojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës.”

Më pas të pranishmit i përshëndeti edhe Akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Zoti Kraja theksoi nevojën për zhvillimin e qasjes kritike në albanologji. 

Në vazhdim të ceremonisë solemne, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, z. Hajrulla Çeku, i përshëndeti të pranishmit dhe shprehu gatishmërinë që Ministria e tij do të mbështesë Seminarin edhe në edicionet e tjera.

Ndërsa prof. dr. Shezai Rrokaj, bashkë-drejtues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nga Universiteti i Tiranës, në fjalën e tij në hapjen solemne, foli për rëndësinë e bashkëpunimit midis Prishtinës dhe Tiranës në fushën e albanologjisë, sidomos për Seminarin.

Në fund, fjalën e mori drejtori i Seminarit të 42-të, prof. dr. Bardh Rugova, i cili pasi përshëndeti dhe falënderoi të pranishmit, foli për hapat e parë të hedhur nga prof. Rexhep Ismajli për hapjen e Seminarit, në atë kohë të quajtur Qendra Kulturore e Albanologjisë.

Sot, përveç këtij misioni, rreth 200 studentë dhe studiues të shkencave albanologjike nga vende të ndryshme të botës, si Islanda, SHBA, Kanada, Kosta Rika, Siria, Rusia, Polonia, Franca, Italia, Hungaria, Belgjika, Austria, Gjermania, Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, janë pjesë e këtyre dy javëve të ngjeshura me një program të pasur, në të cilin do të ligjërojnë shkencëtarët më të njohur të dijeve albanologjike në botë.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare sivjet shënon 50-vjetorin e themelimit, ku organizon edicionin e 42-të. Ligjëratat, tryezat, kurset e gjuhës dhe prezantimet e kumtesave janë pjesë e Programit të Seminarit të sivjemë.

Seminari është i hapur për publikun dhe të gjithë të interesuarit, nga sot e deri më 30 gusht.