Në UP po mbahet konferenca e katërt vjetore KICER 2024

28 Qershor 2024
SHARE

Si pjesë e programit për zhvillimin e hulumtimit në fushën e edukimit në Kosovë, Fakulteti i Edukimit zyrtarisht i hapi punimet e Konferencës Ndërkombëtare për Hulumtime në Arsim (KICER 2024), edicioni i 4-të vjetor, me temën “Zbatimi i suksesshëm i qasjeve inovative në klasë dhe menaxhimi institucional efektiv”.

Kjo ngjarje po mbledh studiues të fushës së arsimit nga Kosova, rajoni dhe më gjerë. Konferenca, që do të mbahet për dy ditë radhazi, ofron një mundësi unike për pjesëmarrësit që të diskutojnë mbi qasjet inovative në arsim dhe menaxhimin efektiv institucional dhe të debatojnë rreth aspekteve kyçe të ndryshimeve në arsim, duke përfshirë ndryshimet në zbatimin e kurrikulës, zhvillimin profesional e personal të mësimdhënësve, integrimin ndërlëndor e të teknologjisë në arsim si dhe ndryshimet në politikat arsimore, të cilat e lehtësojnë këtë proces.

Me interes të veçantë janë hulumtimet dhe përvojat e drejtpërdrejta, të cilat kanë pasur efekt në përmirësimin e të nxënit të nxënësve. Me gjithsej 4 prezantime kyçe, 61 hulumtime shkencore në sesione paralele, dy punëtori praktike dhe një tryezë diskutimi, konferenca po ndihmon në ndërtimin e rrjeteve të reja të bashkëpunimit dhe në ndarjen e praktikave më të mira.

Lansimi i punimeve të konferencës tërhoqi pjesëmarrës nga radhët e studentëve dhe stafit akademik, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave. Këshilltari i ministres së Arsimit, z. Muhedin Nushi, foli për rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar si një katalizator kyç për zhvillimin e arsimit. Prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku, theksoi sfidat dhe mundësitë për të përmirësuar cilësinë e arsimit në shkallë globale. Ndërsa, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi, vuri në pah rëndësinë e hulumtimeve në përmirësimin e praktikave arsimore dhe përpjekjet dhe progresin e bërë në Fakultet të Edukimit në këtë fushë.

Konferenca vjetore KICER shënon një hap të rëndësishëm drejt inovacionit dhe avancimeve në fushën e hulumtimeve arsimore në Kosovë, duke theksuar angazhimin e Fakultetit të Edukimit dhe Universitetit të Prishtinës për të kontribuar në zhvillimin e arsimit me anë të hulumtimit, duke kultivuar bashkëpunimin e aktorëve vendorë dhe duke pasur pikë referimi zhvillimet ndërkombëtare.