Studentët të cilët aktualisht janë duke e përfunduar praktikën në UP morën pjesë në ligjëratën e mbajtur nga prof dr. Richard Hall me temën “Rëndësia e parimeve etike në vendimmarrjen dhe ndërveprimet tona të përditshme”.
Ligjërata u fokusua në debatet dhe teoritë mbi etikën si dhe mbi rolin esencial që parimet etike luajnë në procesin e vendimmarrjes, duke theksuar se vendimet e marra me integritet dhe përgjegjësi përbëjnë themelin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme.
Aktivitetin e përshëndeti prof. Njomza Llullaku - prorektore për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, e cila e vlerësoi lart kontributin e dr. Hall.
Ajo theksoi rëndësinë e ligjëratave të tilla në zhvillimin personal dhe profesional të studentëve, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të mendimit kritik dhe rritjen e cilësisë akademike.
Ky aktivitet kontribuon në formimin profesional të studentëve të tij, duke përfshirë edukimin për vendimmarrjen etike dhe kompetente në kontekstin e sfidave të shoqërisë moderne.
Prof. dr. Richard Hall po qëndron në Kosovë si ekspert i çështjes së Etikës përmes projektit të Fullbright Specialist Program të Qeverisë Amerikane.