Në UP po mbahet Konferenca e Shtatë për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe të Drejtat e Fëmijëve

31 Maj 2024
SHARE

Kjo konferencë dy-ditore po organizohet nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore e UP-së dhe është e mbështetur nga MAShTI.

I pranishëm në hapje të konferences, përveç Ministres Nagavci e shumë profesorëve të UP-së, ishte edhe rektori i UP-së, prof Qerim Qerimi. 

Në fjalën e tij, rektori Qerimi deklaroi se një shoqëri e drejtë dhe e përparuar mbështetet në respektimin e të drejtave universale të gjithësecilit dhe në ofrimin e kushteve optimale për një jetë të dinjitetshme që udhëhiqet nga vlerat e respektit, të drejtësisë sociale dhe gjithëpërfshirjes. 

“Ky besim është i rrënjosur thellë në filozofinë tonë akademike. Në këtë kontekst, UP-ja, përmes programeve që ofron, përgatit profesionistë që do të ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë”, shtoi rektori.

Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin dhe realizimin e kësaj konference. “Përkushtimi dhe pasioni juaj janë thelbësorë për avancimin e kësaj kauze të pamatshme e të pakrahasueshme”.

UP-ja mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme ku çdo fëmijë rritet dhe vepron në një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, dhe mirëpret ide, nisma e partneritete që i kontribuojnë kësaj aspirate të përbashkët.