UP-ja mban punëtorinë "Këshilli i Etikës përballë sfidave të marrjes së vendimeve meritore"

28 Maj 2024
SHARE

UP-ja ka mbajtur një punëtori, e cila u fokusua në përmirësimin e rregullores dhe kodit të etikës, me synim rritjen e efikasitetit të Këshillit të Etikës. Ky event u organizua për të adresuar sfidat ekzistuese dhe për të përmirësuar proceset e punës në Këshillin e Etikës, duke përfshirë transparencën, administrimin e rasteve të denoncuara, integritetin akademik dhe përbërjen e Këshillit.

Gjatë punëtorisë, u trajtuan temat kyçe si efikasiteti dhe transparenca në punën e këshillit, sfidat administrative dhe etike, baza ligjore për integritetin akademik, plagjiatura dhe autoplagjiatura, si dhe përbërja dhe integriteti i anëtarëve të këshillit. Të pranishëm ishin anëtarët e Këshillit të Etikës, stafi mbështetës dhe eksperti nga programi Fulbright, profesori i njohur Richard Hall, të cilët ndanë përvojat dhe ekspertizën e tyre. Diskutimet sollën në përfundimin e nevojës për një rregullore dhe kod të ri të etikës, që do të jenë më efikase dhe më të efektshme në trajtimin e problemeve dhe sfidave etike në universitet.

Në përfundim, punëtoria rezultoi me draftimin e një rregulloreje dhe kodi të ri, të cilët synojnë të përmirësojnë efikasitetin dhe efektivitetin e Këshillit të Etikës, duke rritur standardet etike dhe duke garantuar një administrim më të drejtë dhe transparent të çështjeve etike në Universitetin e Prishtinës.