Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Qerim Qerimi, dhe prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku, kanë mirëpritur në takim z. Mentor Morina, drejtor i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare, z. Blerim Shabani nga Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe prof. Avdyl Gashi, shef i Departamentit të Punës Sociale (UP).
Fokusi i takimit ishte diskutimi mbi praktikat më të mira në organizimin e praktikës profesionale për studentë në institucionet publike. Për tri vitet e fundit, studentët e punës sociale janë angazhuar në mënyrë aktive në Qendrat për Punë Sociale (QPS) në gjithë komunat e Kosovës, ku përmes institucionalizimit të praktikës, studentët kanë përfituar në ngritjen e shkathtësive, krijimin e rrethit profesional dhe mbështetjen nën mbikëqyrjen e profesionistëve me përvojë.
Ky bashkëpunim qëndron si një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërinstitucional, duke siguruar që studentët tanë të kenë mundësi gjithëpërfshirëse për angazhim në punë praktike, që i ndihmon në ngritjen e kapaciteteve dhe aplikimin e njohurive teorike.
Shembulli i praktikës së institucionalizuar mes Departamentit për Punë Sociale (UP) dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thekson përkushtimin e UP-së për të siguruar partneritetin ndërinstitucional në dobi të studentëve tanë dhe komunitetit.