Rektori Qerim Qerimi, i shoqëruar nga prorektorja Arta Basha-Jakupi dhe anëtarja e Këshillit Drejtues, Arta Zaimi Shehu, pritën drejtuesit e MCC-së. Në takim drejtuesit e universitetit janë njoftuar se projekti JETA e programit Kompakt ka shprehur interesim për mundësinë e një partneriteti me Universitetin e Prishtinës për ngritjen e një programi trajnimi në fushën e energjisë.
Në këtë takim përfaqësues të MCC kompact ishin: Isabel Dilliner, drejtoreshë e Departamentit të Zhvillimit të Kapitalit Njerëzor në MCC, Emily Schultz, zëvendësdrejtoreshë e Misionit Rezident të MCC në Kosovë, Sarah Bishop, zyrtare e lartë në Departamentin e Ekonomisë në MCC, Kobby Amponsa, zyrtar në Departamentin e Monitorimit dhe Evaluimit në MCC, Andreas Meyn, konsulent i jashtëm për zhvillimin e fuqisë punëtore, Gramos Buçinca, përgjegjës për projektin JETA në Ekipin për Zhvillimin e Kompaktit dhe Violeta Rexha, përgjegjëse për Përfshirje Gjinore dhe Sociale në Ekipin për Zhvillimin e Kompaktit.
Gjatë takimit, rektori Qerim Qerimi theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për sigurimin e fuqisë punëtore të nevojshme për tranzicionin energjetik të Kosovës.
Rektori Qerim Qerimi dhe drejtoresha Isabel Dilliner kanë shprehur gatishmërinë për të zhvilluar më tej këtë partneritet dhe kanë vlerësuar kapacitetet e Universitetit të Prishtinës për të pranuar një program trajnimi në këtë fushë.
Diskutimi i takimit u fokusua në aspektet e hartimit të programit, trajnimit të trajnerëve, rehabilitimit apo ndërtimit të hapësirave të reja, zhvillimit të kurrikulës, përgatitjes së teksteve shkollore dhe procesit të akreditimit, të cilat do të udhëhiqen nga programi Kompakt.
Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të partneritetit dhe zhvillimit të trajnimeve në sektorin e energjisë në Kosovë.