Studentja e Fakultetit të Arteve shpallet fituese e disa çmimeve në garën ndërkombëtare të mbështetur nën patronazhin e Presidencës së Italisë “International Dinu Lipatti Music Competition” në Taranto, Itali

27 Tetor 2023
SHARE

Studentja nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës, Melisa Ibrahimi, ka arritur të shpallet fituese e disa çmimeve në garën ndërkombëtar “International Dinu Lipatti Music Competition” në Taranto të Italisë.

Në muajin qershor, studentja Melisa Ibrahimi mori pjesë në "International Dinu Lipatti Music Competition" në Taranto të Italisë. Gara ishte e një niveli të lartë, e mbështetur dhe nën patronazhin e Presidencës së Italisë. Gara kishte tre faza dhe studentja Melisa Ibrahimi arriti të kualifikohej në gjysmëfinale dhe finale të garës. Në fund, ajo fitoi disa çmime. Studentja Ibrahimi është fituese e çmimeve: vendi i parë në seksionin  e pianos, “Çmimi absolut”, titulli finaliste dhe fituese e vendit të tretë “Absolut” në finalen e garës "International Music Competition Dinu Lipatti". 

Medaljen/Dekoratën e garës e ka pranuar nga Këshilli i Ministrave i Presidencës së Italisë dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm dhe për herë të parë në historinë e Kosovës.

Suksesi i radhës u arrit më 25 tetor, ku studentja Melisa Ibrahimi dhe profesoresha e saj, prof. Alberta Troni kanë arritur çmime shumë të rëndësishme në “Debussy International Music Competition”.

Profesoresha Alberta Troni shpallet fituese e “Teacher Award” për ekselencë në mentorim dhe kontribut të shquar.

Ndërsa studentja e UP-së, Melisa Ibrahimi arriti të fitojë vendin e parë “Absolut First Prize” 100/100 pikë dhe çmimin special "Art of Musical Interpretation for exceptional interpreting and performing". 

Profesoresha Troni dhe studentja Ibrahimi do të vazhdojnë suksesin e tyre në një prezantim dinjitoz të universitetit muajin e ardhshëm, ku do të realizojnë një koncert solo në Romë të Italisë, si studente në klasën e prof. Alberta Troni, dhe si pjesë e serisë së koncerteve të asociacionit italian MusicoPaideia.