Rektori Qerimi pritet nga rektori i Universitetit Linnaeus në Suedi, Peter Aronsson

19 Tetor 2023
SHARE

Rektori i UP-së, Qerim Qerimi, së bashku me një delegacion të përbërë nga prof. Dashamir Bëxulli, dekani i Fakultetit Filozofik, z. Besfort Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i UP-së, si dhe znj. Afërdita Rexhepi nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë, u pritën nga profesori Peter Aronsson, rektor i Universitetit Linnaeus në Suedi.

Dy rektorët diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe përfshirjen e sa më shumë fushave nga të dy institucionet. Ky bashkëpunim, krahas shkëmbimit në rritje të studentëve dhe stafit, pritet të përfshijë bashkëpunim në projekte të ndryshme shkencore. Rektori Qerimi rikujtoi kohën kur edhe në rrethana të vështira për Universitetin e Prishtinës në vitet e 90-ta, kishte mbështetjen e profesorit Harald Niklasson, për të cilin shprehu falënderime dhe mirënjohje të pafundme.

Delegacioni u prit edhe nga prof. Ann-Charlotte Larsson, Kay Svenssson, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe znj. Valdete Hashani, këshilltare për bashkëpunim ndërkombëtar.