Rektori Qerim Qerimi priti në takim Nora Cimili, kryeshefe ekzekutive e Ndërmarrjes Publike Lokale “Gjelbër” në Prishtinë, dhe kryesuesin e Bordit të Drejtorëve, Dren Kafexholli, së bashku me Altin Sahitin, kryesues i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës. Objektivi kryesor ishte transformimi i kampusit për studentët, stafin akademik dhe vizitorët. Diskutimet e takimit u përqëndruan rreth vizionit të ristrukturimit të kampusit universitar, me fokus kryesor në përmirësimin e mjedisit të kampusit për të lehtësuar aksesin e këmbësorëve, duke shtuar gjelbërimin në kampus dhe duke ofruar hapësira rekreative.
Kryeshefja ekzekutive e Ndërmarrjes Publike Lokale “Gjelbër”, në Prishtinë, Nora Cimili Gagica prezantoi disa ide rreth procesit të transformimit të zonës brenda kampusit universitar.
Këto koncepte, që përfshijnë peizazhin, infrastrukturën dhe mjedisin, u pritën me optimizëm pasi premtuan t'i jepnin jetë të re kampusit universitar.