Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Lubjanës nisin programin e përbashkët të doktoraturës (diplomë e dyfishtë) në fushën e edukimit

09 Tetor 2023
SHARE

Lubjanë, 9 tetor 2023 – Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar sot marrëveshjen me Universitetin e Lubjanës, me të cilën – për herë të parë në Kosovë – do të fillojnë studimet e doktoraturës me modalitetin e ‘diplomës së dyfishtë’.

Universiteti i Prishtinës, përmes Fakultetit të Edukimit, ka marrë nismën për këtë program me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe modernizimit të mësimdhënies si dhe rritjen e aktivitetit shkencor në fushën e edukimit.

Ky program, i cili do t'u sigurojë studentëve një diplomë të njohur ndërkombëtarisht, është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë studentët që duan të avancojnë në fushën e edukimit nga Kosova, Shqipëria dhe më gjerë.

“Fakulteti i Edukimit në UP ka filluar këtë bashkëpunim në kuadër të projekteve tona të përbashkëta në fushën e zhvillimit të përgatitjes të mësimdhënësve të rinj dhe kjo marrëveshje si e tillë synon ta avancojë këtë bashkëpunim në fushën e kërkimit shkencor dhe gjithashtu me qëllim që bashkëpunimi i tillë që të shtrihet edhe në fushata të tjera studimore, kërkimore dhe inovative”, tha rektori Qerimi me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshja është nënshkruar nga rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi dhe rektori i Universitetit të Lubjanës, prof. Gregor Majdiç, si dhe nga dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, prof. Blerim Saqipi dhe dekani i Edukimit në Lubjanë, prof. Janez Vogrinc. Të dy rektorët shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për të eksploruar fusha të tjera bashkëpunimi dhe për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në segmente të tjera, si rritja e shkëmbimeve akademike dhe aplikimi për projekte të përbashkëta kërkimore dhe inovative.

Marrëveshja e sotme do të pasohet nga hapja e konkursit për studentë të rinj këtë vit akademik dhe programi do të zbatohet në gjuhën angleze dhe do të përfshijë marrëveshje bashkëmentorimi me Universitetin e Lubjanës. Programi për studimet e doktoraturës në fushën e edukimit është akredituar nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës më 13 korrik 2023.