Rektori Qerimi merr pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

06 Tetor 2023
SHARE

Ka filluar konferenca shkencore ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me temë “Sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit ekonomik Kosovë- Shqipëri dhe rajon”, në të cilën krahas rektorit Qerim Qerimi, merr pjesë dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademiku Mehmet Kraja, presidenti i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Skënder Gjinushi, ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Nagavci, ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut, z. Jeton Shaqiri, guvernatori i Bankës Qendrore së Kosovës, z. Ahmet Ismaili dhe akademikë dhe mysafirë të ftuar.

Fjalë përshëndetëse në këtë konferencë ju drejtua dhe rektori Qerim Qerimi. Rektori Qerimi nënvizoi në fjalën e tij se çështja e konferencës shkon përtej diskutimit thjesht akademik. Në vend të kësaj, sipas rektorit ofron një kornizë për të menduar për qëllimet që kombet dhe vendet ndajnë në tërësi. “Rruga drejt sinergjisë ekonomike në këtë kontekst paraqet jo vetëm një rrugë për zhvillim rajonal, por edhe një hap thelbësor drejt integrimit më të ngushtë brenda komunitetit më të madh evropian, theksoi rektori Qerimi.

Rektori Qerim Qerimi theksoi rolin vendimtar dhe të rëndësishëm që luan akademia në ndikimin  e aspektit ekonomik si një qendër kërkimi e bazuar në të dhëna empirike. Sipas rektorit, kërkimi i plotë bën të mundur identifikimin e praktikave më të mira të nevojshme për zhvillimin ekonomik, shqyrtimin e vështirësive të hasura dhe krijimin e një plani që është njëkohësisht vizionar dhe pragmatik.

Rektori në përfundimin e fjalës së tij theksoi se universitetet në Kosovë dhe Shqipëri veprojnë si terrene testimi për idetë e reja, kërkime, liderët e së ardhmes, vende ku inkurajohet mendimi kritik, hulumtimin kritik që mbështet rritjen ekonomike, si në Kosovë dhe Shqipëri ashtu edhe në një shkallë më të gjerë.