Rektori Qerim Qerimi ka mirëpritur në takim rektorin e Universitetit Eskisehir Osmangazi, Kamil Çolak

04 Tetor 2023
SHARE

Rektori Qerim Qerimi, shoqëruar nga prorektorja Basha-Jakupi dhe dr. Bajrami, drejtoreshë e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në UP, priti në takim rektorin e Universitetit Eskisehir Osmangazi, Kamil Çolak.

I ftuari i tyre, prof. dr. Kamil Çolak, shoqërohej nga asst. prof. dr. Mahmut Sami Islek dhe dy doktorantë të diplomuar nga universiteti i tyre: Festim Rizanaj, bashkëpuntor i jashtëm në departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik të UP-së dhe Flora Hajdarmataj, e cila përfaqëson Fondacionin Maarif në Kosovë.

Diskutimet hyrëse u përqëndruan rreth shkëmbimeve të studentëve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Rektori Qerimi prezantoi gjithashtu një sërë mundësish të disponueshme në Universitetin e Prishtinës, duke përfshirë një gamë të gjerë të programeve në gjuhën angleze dhe potencialin për përmirësimin e mëtejshëm të shkëmbimeve të studentëve dhe stafit.

Rektori Qerimi vuri në pah 14 njësitë akademike të universitetit dhe mundësitë e shumta që ato ofrojnë. Si universiteti më i vjetër dhe më i madh në vend, rektori Qerim Qerimi theksoi pikat e forta të universitetit, si ndërkombëtarizimi, momerandumet, marrëveshjet e gjera me universitete të tjera dhe angazhimi i tyre aktiv në programe specifike të shkëmbimit të departamenteve dhe fakulteteve.

Rektori Çolak nga ana e tij shprehu angazhimin e tij për nxitjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve të tyre bashkëpunuese, me theks të veçantë në thellimin e bashkëpunimit me Fakultetin Filologjik dhe njësitë e tjera.

Prorektorja Basha-Jakupi nënvizoi rëndësinë e Memorandumeve të Mirëkuptimit me universitetet turke, veçanërisht përmes programeve si Erasmus. Prorektorja vuri në dukje gjithashtu numrin e madh të gjuhëve që mësohen në Fakultetin e Filologjisë, duke përfshirë edhe turqishten.

Prof. Sami Islek theksoi rëndësinë e programeve të shkëmbimit, veçanërisht ato që janë nën kornizën Erasmus+. Prof. Islek theksoi dëshirën e tyre për zgjerimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve me universitetin.

Në përfundim, palët shprehën dëshirën e tyre për të forcuar bashkëpunimin dhe për të rritur thellësinë e bashkëpunimit të tyre në të ardhmen.