Nis bashkëpunimi me Universitetin e Ryukyus nga Japonia

12 Shtator 2023
SHARE

Rektori Qerim Qerimi, i shoqëruar nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Arta Basha-Jakupi, dhe këshilltari për marrëdhënie me publikun, z. Irfan Nikçi, pritën në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën Japoneze në Kosovë, Keisuke Yamanaka, profesorin nga Universiteti i Ryukyus Till Weber dhe këshilltarin për çështje politike dhe të përgjithshme në Ambasadën Japoneze në Kosovë, Arbër Myftarin.

Takimi u zhvillua pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Universitetit japonez, në maj të këtij viti.

Rektori Qerimi iu uroi mysafirëve mirëseardhje në UP, e gjithashtu shprehu gatishmërinë dhe përkushtimin e institucionit për bashkëpunimin të mëtutjeshëm në fusha të ndryshme me Universitetin e Ryukyus apo edhe përmes Ambasadës Japoneze në Kosovë.

Vizitën e profesorit Weber dhe z. Yamanaka në rektoratin e UP-së e vlerësoi edhe prorektorja Basha-Jakupi, e cila theksoi përkushtimin dhe rëndësinë e dimensionit ndërkombëtar për universitetin e Prishtinës dhe punën e bërë në avancim të këtij sektori.

Gjatë takimit u diskutua edhe shkëmbimi i studentëve dhe stafit, si dhe organizimi i aktiviteteve shkencore të përbashkëta, të përfshira tashmë në marrëveshjen zyrtare ndërmjet të dyja institucioneve.

Pas takimit me menaxhmentin e UP-së, profesori Weber takoi edhe dekanët dhe prodekanët e fakulteteve të UP-së, me të cilët diskutoi për ide konkrete të bashkëpunimit ndërmjet njësive akademike përkatëse.