Forumit i Shtatë i Rektorëve të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor u mblodh në Rijeka të Kroacisë. Prorektori për personel akademik, integritet dhe botime, prof. dr. Faton Berisha dhe Fitim Seferi nga Zyra për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuar kanë përfaqësuar Universitetin e Prishtinës në këtë forum.
Ky partneritet rajonal, i nisur vite më parë, synon që të fuqizojë bashkëpunimin në arsim, kërkim dhe inovacion ndërmjet universiteteve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Pjesë e takimeve ishin rreth 70 përfaqësues nga universitetet anëtare, të cilët morën pjesë në tri grupe punuese dhe në Asamblenë e Përgjithshme të forumit.

Pas aplikimeve të pranuara, Asambleja e Përgjithshme miratoi vendimin për përfshirjen e katër universiteteve të reja në Forum, përkatësisht: Universitetin e Tiranës, Universitetin “Haxhi Zeka”, Universitetin “Ukshin Hoti” dhe Universitetin e Shtipit “Goce Delchev”.
Përfaqësuesit e universiteteve anëtare miratuan gjithashtu deklaratën, në të cilën u zotuan për të punuar së bashku drejt përmirësimit dhe fuqizimit të lidhjeve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe për të iniciuar nisma të përbashkëta me qëllim ngritjen e standardeve të cilësisë dhe kërkimit shkencor në arsimin e lartë, si dhe për të përmirësuar partneritetet akademike brenda rrjetit të institucioneve.
