Rektori Qerimi merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me titull "Planet Kombëtare të Veprimit për Rezolutën 1325 dhe ndikimi i konflikteve të armatosura te fëmijët"

05 Shtator 2023
SHARE

Organizuar nga Rrjeti i Universiteteve për Fëmijët në Konflikt të Armatosur dhe Instituti i Politikës, një projekt i mbështetur nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, sot u mbajt Konferenca Nderkombetare në ambientet e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës.

Konferenca organizohet në kuadër të projektit “Planet Kombëtare të Veprimit për Rezolutën 1325 dhe ndikimi i konflikteve të armatosura tek fëmijët: një studim dhe analizë e Rrjetit Ndërkombëtar të Universiteteve”, realizuar nga Rrjeti i Universiteteve për Fëmijët në Konflikt të Armatosur në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike dhe mbështetur nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Të pranishëm në konferencë ishin rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, z. Antonello De Riu, ambasadori i Italisë në Kosovë, znj. Selvete Gerxhaliu Krasniqi, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Blerim Saqipi, dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, znj. Laura Guercio, sekretarja e përgjithshme e Rrjetit të Universiteteve për Fëmijët në Konflikt të Armatosur, znj. Simona Lanzellotto, Rrjeti i Universiteteve për Fëmijët në Konflikt të Armatosur, prorektorë të Universitetit të Prishtinës, profesorë dhe studentë.

Rektori Qerimi theksoi në fjalën e tij se kjo konferencë nxjerr në pah përpjekjen e përbashkët të komunitetit për rritjen, edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve. Rektori Qerimi vuri në pah se qëllimi i universitetit është që përmes vlerësimeve të sakta cilësore dhe sasiore të ndriçojë realitetin e përjetuar nga fëmijët në zonat e konfliktit. Mbledhja e të dhënave sipas rektorit është një përpjekje për të humanizuar statistikat duke përdorur Hartën Virtuale, një video dhe një ekspozitë fotografike për të parë gjendjen e vështirë të këtyre fëmijëve. Për më tepër, Universiteti i Prishtinës shërben si pikë qendrore për aktivizëm, përgjegjësi sociale dhe ndryshim, përveç se është vend mësimi, përfundoi rektori.

Me një fjalë para të pranishmëve ju drejtuan dhe prof. dr. Blerim Saqipi, dekan i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, ambasadori italian në Kosovë, znj. Selvete Gerxhaliu Krasniqi, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe znj. Laura Guercio, sekretare e përgjithshme e Rrjetit të Universiteteve për Fëmijët në Konflikt të Armatosur.

Projekti synon të kryejë kërkime cilësore dhe sasiore, të publikojë një raport të plotë mbi shkeljet serioze ndaj fëmijëve në skenarë të konflikteve të armatosura dhe ta zbërthejë atë sipas rajonit gjeografik. Për të arritur një audiencë më të gjerë, aktiviteti kërkimor do të ndahet përmes prodhimit të një Harte Virtuale të specializuar dhe një filmi të shkurtër që mund të përshkruajë vizualisht rezultatet. Kjo do të shërbejë si bazë për një raport përfundimtar. Për më tepër, një ekspozitë me fotografi mbi gjendjen e vështirë të fëmijëve të kapur në konflikt të armatosur do të organizohet dhe shfaqet në konferenca rajonale.