Universiteti i Prishtinës dhe Radio Televizioni i Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

28 Korrik 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi dhe drejtori i RTK-së, z. Shkumbin Ahmetxhekaj, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit. Në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ishin dhe prof. dr. Njomza Llullaku, prorektore për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve dhe z. Arsim Halili / drejtor i RTK Radios.

Duke ofruar mundësi për shfrytëzimin e hapësirave, krijimin e mundësive për studentët dhe stafin, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe sigurimin e mbulimit të projekteve që i shërbejnë interesit publik, do të mundësohet promovimi i qëllimeve të institucioneve përkatëse përmes kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi, e cila do t'u mundësojë studentëve të Universitetit të Prishtinës, veçanërisht atyre të Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Arteve, të kryejnë praktikën në Radio Televizionin e Kosovës, është vlerësuar nga rektori Qerimi.

Ndërsa drejtori Ahmetxhekaj theksoi mundësinë që ofron kjo marrëveshje bashkëpunimi për pjesëmarrjen e stafit të saj në ofrimin e ligjëratave jashtëkurrikulare për studentët e UP-së, duke përfshirë këtu drejtues të mediave, gazetarë, apo mysafirë të tjerë.

Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit u bë në ambientet e rektoratit të Universitetit të Prishtinës.