Rektori i Universitetit të Prishtinës i siguron studentët e ardhshëm për një vit akademik premtues 2023- 2024 në ditën e provimit pranues në Fakultetin Ekonomik dhe Mjekësi

21 Korrik 2023
SHARE

Provimet pranuese për vitin akademik 2023/24 sot po mbahen në Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin Filologjik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetin e Arteve.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi vazhdoi vizitën e tij në Fakultetin Ekonomik dhe në Fakultetin e Mjekësisë në disa nga ambientet ku po mbahej provimi pranues për vitin akademik 2023/2024 në drejtimet si menaxhment dhe ekonomia e aplikuar dhe menaxhment (programi në gjuhën angleze) në Fakultetin Ekonomik. Gjithashtu ka vizituar edhe ambientet ku po zhvillohet provimi pranues për stomatologjinë në Fakultetin e Mjekësisë. Rektorit iu bashkuan në vizitë z. Sahiti, kryesues i Këshillit Drejtues, prorektorja Llullaku dhe prof. dr.  Driton Balaj, dekan i Fakultetit Ekonomik.

Përkushtimi i universitetit për të krijuar një mjedis mësimor mikpritës për të gjithë u nënvizua nga rektori teksa foli me studentët e ardhshëm që kishin ardhur për të filluar rrugëtimin e tyre akademik. Rektori Qerimi iu drejtua kandidatëve, anëtarëve të fakultetit, dekanit dhe profesorëve duke shprehur urimet më të mira për të gjithë të pranishmit dhe theksoi vlerën e arsimit të lartë në krijimin e një të ardhmeje të suksesshme.

Iniciativat e universitetit të drejtuara ndaj studentëve, duke përfshirë bursat e studentëve dhe praktikat me pagesë, u vunë në dukje nga rektori Qerimi. Këtë vit programi i praktikës ka një vlerë kompenzimi më të lartë.

Në fund, rektori shprehu sukses për të gjithë aplikantët që mund të bëhen studentë të ardhshëm të universitetit.