Prorektorja Basha-Jakupi, së bashku me dekanen dhe prodekanen e Fakultetit të Arkitekturës, e viziton Bienalen e Arkitekturës në Venedik

25 Maj 2023
SHARE

Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Arta Basha-Jakupi, së bashku me dekanen Violeta Nushi dhe prodekanen Vlora Navakazi, nga Fakulteti i Arkitekturës, ka qenë e ftuar nga presidenti i La Biennale di Venezia, Roberto Cicutto, për të marrë pjesë në paraafishimin e Laboratorit të së Ardhmes në Giardini dhe Arsenale, një nga ngjarjet kyçe të Bienales së Arkitekturës në Venedik.

Gjithashtu, prorektorja ishte pjesë e hapjes solemne të pavijonit të Kosovës, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe pavijonit të Maqedonisë, të kuruar nga dr. Dita Starova. Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës është organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përmban një ekspozitë të veçantë që paraqet kulturën dhe talentin e arkitektëve të Kosovës.

Përgjatë kësaj vizite, delegacioni nga UP-ja ka pasur rastin të takohet dhe të bisedojë me personalitete të shquara të fushës së arkitekturës nga e gjithë bota, duke shkëmbyer mendime dhe përvoja të vlefshme.

Kjo vizitë ka hapur rrugë për bashkëpunime të reja dhe projekte të përbashkëta në fushën e arkitekturës dhe edukimit.