Rektori Qerimi merr pjesë në tryezën e diskutimit lidhur me përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutë

23 Maj 2023
SHARE

Në Kuvendin e Kosovës, është organizuar tryeza e diskutimit lidhur me përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përmes amendamentit kushtetues, me ç’rast deputetë, përfaqësues institucionesh, përfaqësues të organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave ndërkombëtare patën mundësi të diskutonin lidhur me këtë çështje.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, gjatë diskutimit, ndau ekspertizën e tij, lidhur me temën e tryezës “Caktimi i prioriteteve, të cilat shteti duhet t’i përmbushë pas përfshirjes së Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”. Ai u shpreh i lumtur për këtë hap të rëndësishëm drejt avancimit të kornizës ligjore për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, duke treguar edhe konsideratën që UP-ja ka për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë.

Kjo tryezë u organizua nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Shoqatën e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS, në kuadër të projektit “Përmirësimi i kornizës ligjore të Kosovës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe nxitja e respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të tyre”, mbështetur nga Zyra e UNMIK-ut në Kosovë.