UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Ajovës Veriore

22 Maj 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Ajovës Veriore. Marrëveshja është nënshkruar gjatë ditës së sotme nga rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, dhe dr. Mark A. Nook, president i universitetit nga ShBA-të.

 

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. dr. Arta Basha-Jakupi, dekani i Fakultetit Filozofik, prof. asoc. dr. Dashamir Berxulli, si dhe profesorët nga Fakulteti Filozofik, Kaltrina Kelmendi, Aliriza Arenliu dhe Arben Hajrullahu.

 

Marrëveshja synon të lehtësojë bashkëpunimin akademik në fusha të ndryshme studimi, duke nxitur projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime të stafit dhe të studentëve, promovim të mirëkuptimit kulturor dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

 

Rektori Qerimi e vlerësoi lart arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila, sipas tij, do t’u shërbejë interesave të dy universiteteve. Po ashtu edhe homologu i tij, presidenti Nook, tha se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për avancimin akademik, njëherësh do të shërbejë edhe si një bazë për zhvillimin e marrëdhënieve afatgjata midis fakulteteve.

 

Me këtë marrëveshje do të përfitojnë anëtarët e fakultetit si edhe studentët, duke pasuruar përvojat e tyre arsimore.