Rektori Qerimi pret në takim deputetin holandez të Parlamentit Evropian, Thijs Reuten

18 Maj 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Qerim Qerimi, së bashku me prorektoren për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Arta Basha-Jakupi, pritën në takim eurodeputetin holandez, z. Thijs Reuten.

Të pranishme në takim ishin edhe dy studente nga Fakulteti Juridik dhe departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, që janë duke kryer praktikën profesionale në rektorat.

Eurodeputeti Reuten priti pozitivisht faktin që në mjediset e UP-së ka studentë të angazhuar përmes angazhimit në punë profesionale  brenda institucionit.

Reuten ka qenë ndër zërat më aktivë brenda Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, për kontributin e të cilit mirënjohje shprehën edhe studentet, duke shkëmbyer njëherësh edhe përvojat personale. 

Në këtë takim, u diskutua edhe rreth mundësive që krijon liberalizimi për studentët, posaçërisht në prizmin e lehtësimit të procesit të shkëmbimit akademik. Ndër të tjera, u bisedua edhe për ndërkombëtarizimin e Universitetit të Prishtinës dhe ofrimin e mundësive të reja të shkëmbimit akademik për studentët.  Ndërkaq, me theks të veçantë, u diskutua rreth bashkëpunimit të mëtejmë të UP-së me eurodeputetin Reuten për ngritjen e nismave për të ofruar programe për studentët e UP-së, me mundësinë eventuale për një shkëmbim arsimor dhe kulturor disa javësh në Parlamentin Evropian.

Rektori Qerimi mirëpriti nismën, duke ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme nga ana e UP-së. Ai deklaroi se për Universitetin e Prishtinës mundësitë evropiane në kuadër të kornizës për bashkëpunim ndërkombëtar janë gjithmonë të mirëseardhura dhe se, për këtë qëllim, UP-ja ka intensifikuar bashkëpunimin me universitete të shumta partnere, me qëllimin për të shtuar shkallën e shkëmbimit akademik.