Nobelisti Shechtman mban ligjëratë në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare në UP

06 Maj 2023
SHARE

Profesori Dan Shechtman, fitues i çmimit Nobel për Kimi, që po qëndron në Kosovë me ftesë të Universitetit të Prishtinës, ka mbajtur një ligjëratë për stafin, studentët dhe pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare për Arritjet e Reja në Shkencë, Teknologji dhe në Arte. Tema e përgjithshme e ligjëratës së tij ka qenë: “Materialet kuazi-periodike: një ndryshim paradigmatik”.

Profesori Shechtman ka folur për zbulimin e tij revolucionar të kuazikristaleve dhe rrugëtimin e tij deri te zbulimi dhe çmimi Nobel. Zbulimi i tij ka ndryshuar kuptimin për dijen konvencionale dhe ka hapur shtigje të reja kërkimore në fushën e shkencës së materialeve.

Gjatë ligjëratës dhe duke u mbështetur në përvojën dhe mësimet e tij, profesori Shechtman ka ofruar edhe këshilla për studentët dhe studiuesit e rinj, si dhe u është përgjigur pyetjeve të studentëve dhe profesorëve të pranishëm.