Në UP organizohet konferencë për Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit

03 Maj 2023
SHARE

Me rastin e shënimit të 3 Majit - Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Departamenti Gazetarisë organizoi konferencë me temën “Liria e Shprehjes në kohën e çrregullimit informativ”.

Rektori, prof. dr. Qerim Qerimi duke vendosur theksin në punën e përhershme të UP-së  në promovimin e lirisë së shtypit, përgëzoi kolegët nga Departamenti i Gazetarisë për organizimin e konferencës. Duke folur për rëndësinë e lirisë së fjalës, rektori rikujtoi edhe punën e tij të parë si gazetar, me c'rast theksoi edhe rëndësinë e këtij profesioni.

E pranishme ishte edhe dekanja e të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova, e cila tha se “liria e shprehjes është e garantuar me demokraci, nëse nuk mund të flasim lirshëm do të thotë se po na kufizohet e drejta jonë”.

Fjalën e mori edhe profesoresha Remzie Shahini- Hoxhaj e cila foli për çrregullimin informativ që mund të vijë si pasojë e teknologjisë së re.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe gazetaret, znj. Lyudmila Makey nga Ukraina dhe  znj. Amina Omid nga Afganistani, të cilat ndan përvojat e tyre rreth punës si gazetare në rrethana dhe vende të ndryshme.

Pjesë e panelit ishin edhe Shkelzen Osmani nga platforma “Hibrid" dhe përfaqësuesi nga projekti Fulbright ETA, z. Samir Al-Alamaj.

Universiteti i Prishtinës vazhdimisht është duke punuar në drejtimin e promovimit të aktiviteteve që vëjnë në pah lirinë e shprehjes dhe fuqizimin e medias, për cka së fundi ka lansuar edhe UP Podcast, ku sot është realizuar edicioni special i podcast-it për Ditën e Lirisë së Shtypit.