Rektori i Universitetit të Prishtinës prof. dr. Qerim Qerimi ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit me Qendrën për Kërkime Ekonomike dhe Arsimim Pasuniversitar - Instituti Ekonomik - CERGE-EI (Center for Economic Research and Graduate Education – Economics Institute). CERGE-EI është institucion akademik i vendosur në Pragë të Republikës Çeke, i specializuar për ekonomi dhe është produkt i partneritetit ndërmjet Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe Arsimim Pasuniversitar të Universitetit Charles dhe Institutit të Ekonomisë të Akademisë Çeke të Shkencave. Po ashtu, është i akredituar në shtetin e Nju Jorkut. Me këtë marrëveshje, në kuadër të Programit të Mësimit në Distancë, studentët e Universitetit të Prishtinës do të kenë mundësi të ndjekin ligjërata nga mësimdhënës ndërkombëtar, në fushat më aktuale të ekonomisë. Mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës do të angazhohen si bashkëligjërues me mësimdhënës ndërkombëtar me përvojë të gjatë në mësimdhënie dhe në hulumtime.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit nga Universiteti i Prishtinës ishin prorektorja prof. dr. Arta Basha Jakupi, Dekani i Fakultetit Ekonomik prof. dr. Driton Balaj dhe prof. dr. Ardiana Gashi. Nga ana e CERGE-EI Foundation, të pranishëm ishin zt. Tony Claudino, President dhe Kryeshef Ekzekutiv i CERGE-EI Foundation dhe znj. Danijela Vuletić Čugalj, Drejtoreshë e Programit të Mësimit në Distancë.
