Shënohet Dita e Administratës

27 Prill 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës sot ka shënuar Ditën e Administratës. Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin rektori i UP-së, Qerim Qerimi, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, prorektorët, dekanët, sekretari i përgjithshëm dhe zyrtarët nga shërbimet administrative të UP-së.

Hapjen e këtij aktiviteti e bëri rektori Qerimi, i cili tha se kjo ngjarje po organizohet për të shprehur mirënjohjen për punën e palodhshme të punonjësve administrativë. “Përpjekjet e palodhura dhe përkushtimi i palëkundur i secilit prej jush ka luajtur rol integral në suksesin e Universitetit të Prishtinës dhe se këto përpjekje dhe ky përkushtim janë qendrore për realizimin e misionit të tij të fisëm arsimor, kërkimor dhe inovativ”, tha rektori Qerimi.

Fjalim në Ditën e Administratës adresoi edhe zyrtari më i lartë administrativ në UP, sekretari i përgjithshëm, Besfort Krasniqi. “Një falënderim i thjeshtë mund të ndikojë shumë në njohjen e punës së tyre. Andaj, inkurajoj secilin prej nesh që të gjejë një moment për të falënderuar personelin e administratës, jo vetëm për kontributin e tyre për UP-në, por edhe për ndikimin pozitiv në shoqëri”, theksoi sekretari Krasniqi.

Ndërkaq, menaxheri i personelit, Fidan Hamiti, tha se UP-ja është e përkushtuar që të ofrojë mundësi për ngritjen e kapaciteteve për stafin administrativ, përmes programeve gjithëpërfshirëse të trajnimit.

Për rëndësinë e trajnimit të stafit, mesazh administratës së UP-së i përcolli edhe profesor Ed Cooper, i cili foli edhe për efektin që ato mund të kenë te zyrtarët e edhe tek institucioni.

Pas ceremonisë zyrtare, rektori i shpërbleu me mirënjohje zyrtarët nga secila njësi, për shërbimin e dhënë si pjesë e administratës së UP-së.

Universiteti i Prishtinës, për herë të parë, ka shënuar këtë ditë me ceremoni simbolike, duke nderuar kështu punën e rreth 300 punonjësve të administratës në UP.