Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, dr. Mikuriya, e takon rektorin Qerimi dhe ligjëron para studentëve të UP-së

27 Prill 2023
SHARE

Sot, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, dr. Kunio Mikuriya, ka vizituar rektoratin e Universitetit të Prishtinës, me ç’rast është pritur në takim nga rektori, prof. Qerim Qerimi. Pas takimit, Mikuriya ka mbajtur ligjëratë para studentëve të UP-së, me titull “Edukimi i brezave të rinj: Promovimi i kulturës që nxit shpërndarje të njohurive dhe krenarive profesionale në dogana”.

Të pranishëm në këtë ligjëratë, përveç studentëve të UP-së, ishin edhe personalitete të rëndësishme diplomatike, përfaqësues të institucioneve, dekanë, zyrtarë nga Dogana e Kosovës dhe partnerë të tjerë.

Rektori Qerimi u shpreh i lumtur për vizitën që z. Mikuriya ia ka bërë Universitetit të Prishtinës. Ai i informoi të pranishmit për rëndësinë e kësaj vizite për vendin dhe Universitetin e Prishtinës. “Vizita e sekretarit të përgjithshëm, dr. Kunio Mikuriya, në Republikën e Kosovës dhe, në kontekstin tonë të afërt, në Universitetin e Prishtinës, është me rëndësi shumë të veçantë dhe historike, pasi është hera e parë që një sekretar i përgjithshëm i OBD-së viziton Kosovën dhe universitetin tonë”, potencoi ndër të tjera rektori Qerimi.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i OBD-së, dr. Mikuriya, e falënderoi rektorin Qerimi për pritjen, ndërkaq me studentët diskutoi rreth rëndësisë së doganave për mirëfunksionimin e një shteti, në veçanti, për vendet e reja si Kosova. “Bota është e ndarë dhe doganat e bashkojnë atë. Për Kosovën, si një shtet i ri, është shumë e rëndësishme që të lidhet me botën e jashtme. Misioni i doganave është që të sigurohen që bota është e ndërlidhur” tha dr. Mikuriya.

Pas ligjëratës, studentët adresuan pyetje lidhur me doganat, kontekstin e Kosovës, për ndikimin e pandemisë Covid-19 në funksionimin doganor në mbarë botën, por edhe sfidat e të qenit në një pozitë menaxheriale në një organizatë siç është OBD-ja.

Aktiviteti u përmbyll me dhurimin e mirënjohjes institucionale nga ana e rektorit Qerimi, për dr. Mikuria, me motivacionin “Në njohje të lidershipit dhe vizionit të jashtëzakonshëm si sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, në ndërtimin e partneriteteve strategjike me institucionet akademike në mbarë botën në promovimin e kërkimit, inovacionit dhe shkëmbimit të njohurive”.

Dr. Mikuriya, përveç funksionit si sekretar i përgjithshëm i OBD-së, ka përvojë dhe njohuri të gjerë në dogana, tregti, si dhe politika buxhetore dhe financiare, meqë para se t'i bashkohej OBD-së, ai punoi për 25 vjet në Ministrinë e Financave të Japonisë dhe ka shërbyer edhe si drejtor i Kërkimeve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, këshilltar në Byronë e Tarifave dhe Doganave, këshilltar në Misionin Japonez në OBT në Gjenevë, si dhe pozita të tjera.

Vizita e dr. Mikuriya në Universitetin e Prishtinës është bërë me mbështetje dhe në bashkërendim me Ambasadën e Kosovës në Belgjikë dhe Doganën e Kosovës.