Në muajin e ndërgjegjësimit për ngacmimet seksuale, UP-ja organizon trajnim për studentët

24 Prill 2023
SHARE

Muaji prill shënon muajin e ndërgjegjësimit për ngacmimet seksuale. Me këtë rast, Universiteti i Prishtinës ka organizuar trajnim informues për studentët me tematikën “Ndërgjegjësimi ndaj ngacmimeve seksuale: Rregulloja e UP-së”, i cili u mbajt sot në Fakultetin Filozofik.

Ky trajnim kishte për qëllim ngritjen e njohurive të studentëve lidhur me tematikën në fjalë, identifikimin e ngacmimeve seksuale si dhe informimin mbi rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimet në UP. Poashtu, studentët patën mundësinë që të informohen lidhur me zinxhirin institucional të menaxhimit të rasteve të ngacmimeve seksuale brenda UP-së, si dhe manualit se si duhet të raportohen këto raste.

Drita Hyseni, zyrtare për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në UP, tha që ky trajnim nuk do të jetë i vetmi që do të organizohet për informimin dhe ndërgjegjësimin e studentëve. Ajo u sigurua që studentët të kuptojnë të gjithë mekanizmat e raportimit dhe trajtimit të rasteve në fjalë, duke punuar në grupe me të pranishmit.

Trajnimi u shoqërua me detyra në grupe dhe diskutime nga studentët e pranishëm, të cilët e konsideruan si shumë të nevojshëm këtë aktivitet.