FJALIMI I REKTORIT QERIMI NË PANAIRIN KOMBËTAR TË PUNËS, KARRIERËS DHE NDËRMARRËSISË

30 Nëntor 2022
SHARE

Të dashur studentë dhe të diplomuar,
Të nderuar përfaqësues të tregut të punës,
Miq, partnerë të Universitetit të Prishtinës dhe mbështetës të kësaj ngjarje,

Ju uroj mirëseardhje në këtë edicion të 11-të të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë. Jam i gëzuar që ky organizim vetvetiu është përditësuar dhe vazhdon të zhvillohet e përsoset më tej. Për dallim nga vitet paraprake, i ka kushtuar theks të veçantë ndërmarrësisë, si një ndër fushat me zhvillim drastik viteve të fundit.

Universiteti i Prishtinës përfaqëson bazën e krijimit të kuadrove profesionale në vendin tonë. Më tepër se çdo herë tjetër, universiteti është i përkushtuar që të krijojë një lidhje të fuqishme me tregun, nevojat dhe perspektivat e tij. Universiteti ofron qindra programe studimore, në të tri nivelet e studimit. Produkt i këtyre programeve janë të rinjë e të reja me talente të jashtëzakonshme. Ne duam që ata të jenë të përgatitur për tregun e punës dhe duam që ata shkëlqejnë kudo që janë.

Duke qenë shtëpia kryesore e përgatitjes së të rinjve, Universiteti i Prishtinës, po ashtu, ka nevojë të përhershme për përditësim. Universiteti ka nevojë që të ndjekë trendin botëror si në identifikim të programeve ashtu dhe në zhvillim të kurrikulave studimore dhe në zbatimin e tyre të duhur, në pajtueshmëri më kërkesat e tregut të punës.

Duke e parë këtë nevojë, edhe në Planin tim për Universitetin, kam paraparë krijimin e qasjeve të reja për profesionet dhe sektorët e shoqërisë, duke kombinuar rigorozitetin e studimit me rëndësinë e praktikës. Pra, ne po punojmë në krijimin dhe avancimin e programeve studimore të kërkuara nga tregu i punës, siç janë shkencat e aplikuara, shërbimet e të cilave aktualisht janë duke u kontraktuar edhe nga tregjet e huaja, industria e prodhimit dhe fusha të ngjashme, të cilat njëherësh do të ndikonin pozitivisht në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

I ndarë në tri pavijone të rëndësishme, atë të karrierës, të punës dhe të ndërmarrësisë, unë kam bindjen e thellë se ky aktivitet do t’u hapë dyert shumë të rinjve e të rejave për depërtim në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Por, kjo ngjarje, si e tillë, i shërben edhe vetë Universitetit të Prishtinës për vlerësim të nevojave për profesione të reja, të cilat me zgjerimin teknologjik, po ndryshojnë e transformohen dita-ditës.

Si institucion, ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë që në vazhdimësi të identifikojmë dhe kërkojmë burime që plotësojnë mundësitë tona dhe ndihmojnë në realizimin e misionit tonë. Në mënyrë që të mund të vazhdojmë me tendencat e një universiteti bashkëkohor dhe për të qenë në gjendje të lidhim funksionet dhe operacionet e UP-së me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, ne do të eksplorojmë të gjitha mundësitë për krijimin e partneriteteve të reja me entitete të shumta publike dhe private, përfshirë këtu edhe partnerë në mesin e 200 institucioneve dhe kompanive pjesëmarrëse në këtë Panair.

Të dashur studentë dhe të diplomuar,

Uroj që ky Panair t’ju shërbej si një urë lidhëse drejt depërtimit tuaj në karrierë, në mënyrë që të mund të vëni në veprim tërë potencialin tuaj, duke u përgatitur për një tranzicion të suksesshëm nga studimet në punësim.

Ndërkaq, juve të dashur bashkëpunëtorë, që jeni pjesëmarrës në cilësinë e punëdhënësve dhe orientuesve në karrierë, si dhe partnerëve të kësaj ngjarje, dëshiroj t’ju falënderoj shumë për mundësinë që po i jepni studentëve dhe të diplomuarve tanë. Ne e vlerësojmë lartë partneritetin me ju.

 

SUKSESE!