UP-ja dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me marrëveshje bashkëpunimi për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

06 Prill 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit, për finalizimin e projektit të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është investimi në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP, për rregullimin dhe furnizimin me pajisje të hapësirës së përbashkët për zhvillimin e ideve dhe projekteve inovative për personat fizik dhe bizneset fillestare (Start Up), me qëllim të parapërgatitjes dhe zhvillimit të veprimtarive të ndërmarrësve inovatorë.

Rektori Qerimi u shpreh i nderuar që ky investim po bëhet në Universitetin e Prishtinës. Ai theksoi që ekziston mundësia që përmes kapacitetit profesional dhe ekspertizës që posedon UP-ja, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe akademisë, të kontribuohet në zhvillimin e ideve dhe projekteve inovative për studentët, stafin akademik të UP-së, bizneset fillestare dhe komunitetin.

Ndërkaq, ministrja Rozeta Hajdari tha që ky projekt është i rëndësisë së veçantë për shtetin dhe shoqërinë tonë. Ajo tha që MINT-i synon të ofroj sa më shumë hapësirë për  subjektet dhe individët që kryejnë veprimtari inovatore, qëllimi i të cilave është zhvillimi dhe realizimi i inovacioneve që kontribuojnë në transformimin gradual të Kosovës në një ekonomi më të ardhura të larta.

Investimi në shumën e përgjithshme 1,000,000 euro (një milion euro) nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, përfshinë fazën e fundit të investimeve në vlerë 150,000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro) që do të zbatohet përmes marrëveshjes aktuale të bashkëpunimit, për investime në adaptimin e hapësirës së përbashkët për ndërmarrësit e rinj, si dhe në krijim të bashkëpunimeve të strukturuara në mes të akademisë dhe industrisë.

Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë  do të ofrojë hapësire fizike dhe ekspertizë të nevojshme për shumë ndërmarrës të rinj, për mbështetje në zhvillimin e ideve inovative dhe projekteve ndërmarrëse, që nga faza e parainkubimit, inkubimit e deri të lansimi i produktit final.