Diskutohen mundësi për partneritet ndërmjet UP-së dhe universiteteve gjermane

30 Mars 2023
SHARE

Me ftesën e prorektores për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Arta Basha-Jakupi, si dhe prorektores për zhvillim, buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin privat, Pranvera Breznica-Selmani, përfaqësues nga ambasada gjermane, dr. Sebastian Leuschner, diplomat pranë kësaj ambasade, dhe Adrian Ramabaja, lektor në Departamentin e Gjuhës Gjermane në Universitetin e Prishtinës, si dhe zyrtar pranë Zyrës Gjermane për Shkëmbim Akademik, e vizituan rektoratin e UP-së, për të mësuar më shumë rreth institucionit dhe për të eksploruar bashkëpunimet e mundshme.

Përfaqësuesit e ambasadës u interesuan për mundësitë për shkëmbimin kulturor dhe programet e UP-së, që mund të jenë me interes për studentët gjermanë, njëherësh edhe për mundësinë e integrimit të gjuhës gjermane si lëndë zgjedhore në programe të ndryshme studimore brenda Universitetit të Prishtinës.

Përfaqësueset nga UP-ja ishin veçanërisht të interesuara për mundësitë e bursave studentore, rritjen e numrit të mobiliteteve si dhe partneritetet e mundshme ndërmjet UP-së dhe universiteteve gjermane.

Vizita po konsiderohet si një hap pozitiv drejt ndërtimit të marrëdhënieve më të fuqishme ndërmjet UP-së dhe Ambasadës Gjermane.