Ligjëratë e hapur nga profesoresha amerikane Anne Campbell për bursat studimore dhe mundësitë që u ofrohen studentëve kosovar

23 Mars 2023
SHARE

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Universitetit të Prishtinës, Dr. Anne Campbell, profesoreshë në Middlebury Institute of International Studies (MIIS) në Kaliforni të SHBA-ve dhe njëkohësisht studiuese vizitore me programin Fulbright të Qeverisë Amerikane në MASHT, ka mbajtur një ligjëratë të hapur në temën "Bursat studimore për arsimin e lartë dhe e ardhmja e Kosovës" para një audience të mbushur me studentë, profesorë dhe publikun e gjerë.

Profesoresha Campbell, eksperte në fushën e ndërkombëtarizimit në arsimin e lartë, diskutoi për bursat studimore dhe mundësitë që u ofrohen studentëve kosovar për studime jashtë vendit dhe ndikimin e mundshëm që këto përvoja mund të kenë në shoqëri, në vitet e ardhshme.

“Përveç identifikimit dhe paraqitjes së programeve konkrete dhe mundësive të tjera alternative për bursa studimore, janë të përfshira edhe aspekte të lidhura me strategjitë e aplikimit dhe arsyet që motivojnë në radhë të parë krijimin e programeve të bursave”- shtoi Campbell.

Ligjëratën e përshëndeti edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili çështjen e ndërkombëtarizimit e ka të listuar si një nga prioritetet qendrore në programin e tij qeverisës, ndaj dhe në fjalimin e tij theksoi nevojën për vëmendje dhe veprim ndaj ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës, respektivisht procesit të integrimit të një dimensioni ndërkombëtar në mësim, hulumtim dhe ndërtim institucional.

E ardhmja është bota; ndërveprimi jonë me të tjerët. Ndërsa ne vazhdojmë të punojmë shumë për të përmirësuar cilësinë e sistemit tonë dhe për ta përafruar atë me standardet e institucioneve tona partnere në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, ne mendojmë se është e domosdoshme që çdo student të ketë mundësinë të kalojë një ose dy semestra jashtë vendit. Ky është objektivi ynë kryesor dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë këtë të ndodhë për këdo që zgjedh ta bëjë këtë. Por, derisa ne i inkurajojmë të gjithë të kalojnë kohë jashtë vendit për të ndjekur studime, ne gjithashtu inkurajojmë secilin që e bën këtë, të kthehet në Kosovë”.- shtoi Rektori.

Ndërkaq, prorektorja Dr Basha Jakupi, theksoi rëndësinë që kanë këto mundësi për studentët kosovar, duke u ndihmuar jo vetëm në aspektin financiar por dhe në zhvillimin personal dhe akademik të tyre. Kjo ligjëratë ishte një nga mënyrat përmes të cilës UP-ja syon të artikuloj dhe zbatoj një vizion konkurrues me të tjerët në këtë horizont të zgjeruar të ndërkombëtarizimit.

Ligjërata u prit mirë nga studentët dhe publiku i pranishëm, të cilët njëkohësisht patën mundësinë të bënin pyetje dhe të angazhoheshin në diskutim me profesoreshën Campbell.

Universiteti, me mbështetjen e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, planifikon të mbajë më shumë ligjërata të tilla në të ardhmen.