Inaugurohet Qendra e parë Profesionale Frankofone në Universitetin e Prishtinës

22 Mars 2023
SHARE

Në Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë, Universiteti i Prishtinës ka organizuar ceremoninë e hapjes së Qendrës së parë Profesionale Frankofone. Kjo hapësirë ​​e re me rrjetëzim, e dedikuar për procesin e integrimit profesional, do të bëjë të mundur konkretizimin e ideve novatore si një nga mënyrat më efektive që studentët të krijojnë në të ardhmen një karrierë të suksesshme.

Kjo qendër do të jetë një vend për shkëmbim idesh, promovim të rezultateve kërkimore, formim ekipesh për t'iu përgjigjur thirrjeve për projekte, qasje në burimet e mësimdhënies, shkëmbime praktikash dhe zhvillim në mësimdhënie digjitale.

Hapjen e falënderoi koordinatorja e Qendrës Universitare Frankofone (QUF), Valbona Gashi-Berisha, e cila i shprehu mirënjohje të lartë Universitetit të Prishtinës, për përkrahjen e vazhdueshme në promovimin e vlerave frankofone dhe bashkëpunimin me AUF-in.

Kjo qendër është e gatshme të mbështesë të rinjtë tanë në botën e integrimit Profesional, duke u ofruar trajnime specifike dhe jemi të përkushtuar të shoqërojmë

të rinjtë që dëshirojnë të shfrytëzojnë mundësinë për të krijuar projekte”, shtoi ajo.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi u shpreh i lumtur për arritjet e vazhdueshme të UP-së duke theksuar se ndërkombëtarizimi është një ndër komponentët, në të cilët Universiteti i Prishtinës synon të ngre kapacitetet e saj.

“Qendra që po festohet sot synon që, në pesë vjetët e ardhshëm, ta fuqizojë frankofoninë në dy fusha kryesore: ngritjen e kapaciteteve të Departamentit të Frëngjishtes, si dhe zhvillimin e shkëmbimeve shkencore në frëngjisht në Universitetin e Prishtinës”- tha rektori Qerimi.

Ceremoninë e përshëndeti edhe drejtori i Agjencisë Universitare të Frankofonisë së Evropës Qendrore dhe Lindore, zoti Mohamed KETATA, i cili theksoi se kjo qendër ka për synim të mbështesë orientimin dhe integrimin profesional, si dhe të promovojë ndërmarrësinë dhe sidomos mësimdhënien digjitale.

Ndërkaq, ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier GUEROT, ritheksoi diversitetin sa i përket frankofonisë, që mund të numërojmë 320 milionë frankofonë në mbarë botën dhe të përfitojmë nga ky lloj diversiteti.

Frankofonia botë në vete, mirë që ju e keni zgjedhur të arrini të ardhmen më të mirë”- shtoi z. GUEROT.

Në këtë event morën pjesë mësimdhënës dhe studentë frankofonë të Universitetit të Prishtinës, të cilët u ndjenë të lumtur për hapësirën ku do të mund të shkëmbejnë ide dhe projekte të ndryshme.