Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës u organizua tryeza e rrumbullakët me titull “Fusha e drejtësisë si mundësi për karrierë: Mundësitë dhe sfidat”, në të cilën u shtjelluan temat si: Rikonceptimi i mësimit klinik (klinikave ligjore) dhe lidhja me tregun e punës (themelimi i Qendrës për Studime Klinike), sigurimi dhe promovimi i mundësive për punë praktike dhe punësueshmëria.
Në këtë tryezë morën pjesë institucione, kompani dhe organizata nga sektori privat dhe publik, të cilat sot ofrojnë për studentët praktikat e mira dhe rekomandimet për programet e punës praktike dhe punësimin.
Në fillim të diskutimit të pranishmëve iu drejtua me fjalë përshëndetëse rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili ua uroi mirëseardhjen gjithë pjesëmarrësve.
“Universiteti i Prishtinës ka në fokus punëdhënësin, nga sektori publik dhe privat, për t’i afruar në cilësinë e partnerëve strategjikë me qellim krijimin e mundësive të reja për studentët dhe të diplomuarit në kalimin e tyre nga auditoriumi universitar në industri. Vizion i universitetit mbeten modelet bashkëkohore universitare nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Rektori.
Prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve në UP, prof. ass. dr. Njomza Llullaku, tha se cilësia në programet e punës praktike është interes i përbashkët i UP-së dhe partnerëve nga tregu i punës. "Qëllimi për të zhvilluar modele të qëndrueshme e të suksesshme në zhvillimin e mëtejmë të shkathtësive profesionale të studentët dhe të diplomuarit mbetet kryefjala e këtij bashkëpunimi ndërinstitucional", tha Llullaku.
Në anën tjetër, dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Avni Puka, theksoi se rikonceptimi i mësimit klinik (klinikave ligjore) dhe lidhja me tregun e punës, në perspektiven e krijimit të mundësive të reja për studentët dhe të diplomuarit e Fakultetit Juridik, është në qëllimet e ekipit menaxhues të fakultetit. "Themelimi i Qendrës për Studime Klinike është një projekt në të mirën e studentëve dhe në atë të përfshirjes së partnerëve nga tregu i punës. Përmes saj, Fakulteti Juridik pritet të pasurohet me një model të qëndrueshëm dhe frytdhënës të plotësimit të orëve të punës praktike si pjesë e integruar e kurrikulës bazë, e cila po pëson plotësimet e nevojshme me qellim promovimin e cilësisë në studime në këtë njësi akademike", tha Puka.
Tryeza vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të tregut të punës lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me UP-në në punësimin e studentëve dhe të diplomuarve, ku shumë nga ta propozuan ide për projekte të reja.
Tryeza e rrumbullaket paraqet një mundësi unike komunikimi që Universiteti i Prishtinës dhe tregu i punës promovojnë në sigurimin e partneritetit dhe fuqizimin e mundësive të punësimit dhe zhvillimin e mëtejmë në karrierë për studentët dhe të diplomuarit e UP-së. Punimet në sesionin e sotshëm u zhvilluan nën moton: “#punësueshmëria”
Në këtë tryezë, të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës, e përkrahur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe partnerët nga tregu i punës, morën pjesë:
Fondi për të Drejtën Humanitare
|
Zyra e Prokurorit të Shtetit
|
Gjykata Supreme
|
Gjykata Themelore
|
Gjykata e Apelit
|
Gjykata Themelore Vushtrri
|
Akademia e Drejtësisë
|
Oda e Avokatëve të Kosovës
|
Policia e Kosovës
|
GIZ Kosova
|
Ikks Academy
|
Evro target
|
TEB Kosova
|
Interlex Associates
|
