Ditën e Mësuesit – 7 Marsin, Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës e ka shënuar me aktivitete të ndryshme.
Kjo ditë, në këtë njësi akademike, ka nisur me ceremoninë e certifikimit të 50 mësimdhënësve të cilët kanë ndjekur trajnimin për për zhvillim të qëndrueshëm. Ky trajnim kishte në fokus integrimin e konceptit të zhvillimi të qëndrueshëm në klasë.
Ceremonia në fjalë është organizuar në kuadër të projektit “Mësuesit si agjentë për zhvillim të qendueshëm – TACES”, të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe të administruar nga KUSA. Ndërkaq, implementues i projektit është Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në kuadër të Fakultetit të Edukimit.
Rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka përgëzuar Fakultetin për realizimin më sukses të këtij projekti, ndërkaq ka uruar mësimdhënësit e trajnuar. Gjatë kësaj ceremonie, ai uroi të gjithë mësimdhënësit, si dhe ata që janë duke rrugëtuar për të u përgatitur për praktikim të këtij profesioni në të ardhmen.
Aktivitetet e kësaj dite kanë vijuar me simpoziumin lidhur me rezultatet e testeve ndërkombëtare në Kosovë. Ky simpozium është organizuar nga Fakulteti i Edukimit, në partneritet me: Universitetin e Grazit, Universitetin “Isa Boletini” dhe Universitetin “Ukshin Hoti”. Në fokus të simpoziumit ishte prezantimi i rezultateve të analizave nga të dhënat e testeve ndërkombëtare, shikuar nga perspektiva e dimensionit social të arsimit. Gjatë këtij simpoziumi u njoftua që stafi i këtij fakulteti ka realizuar pesë hulumtime shkencore, të cilat trajtojnë relevancen e zgjedhjes së strategjive të mësimdhënies dhe sfondin socio-ekonomik të nxënësve në raport me arritjet e tyre akademike në testet ndërkombëtare si PISA dhe TIMMS.
Në hapjen e këtij simpoziumi, të pranishmëve ju drejtua rektori Qerimi, i cili theksoi rolin e rëndësishëm të UP-së në hedhjen e dritës tek çështje të tilla të rëndësisë kombëtare, duke ofruar rekomandimet e nevojshme për të arritur rezultate më të mira në të ardhmen.


