Në UP, inaugurohet Shkolla Kombëtare e Doktoratës në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit

03 Mars 2023
SHARE

Në ambientet e Universitetit të Prishtinës është inauguruar sot Shkolla Kombëtare e Doktoratës në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit. Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin: kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, përfaqësues të qeverisë dhe misioneve diplomatike në vend, rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, rektorët e universiteteve partnere, profesorë e studentë. 

Hapjen e ceremonisë e bëri rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi. “Universiteti ynë ka luajtur një rol vendimtar në realizimin e kësaj shkolle dhe ne jemi të emocionuar ta presim dhe ta bashkërendojmë atë për dy vjetët e ardhshëm”, tha rektori në nisje të fjalës së tij. Ai tha se shpreson që kjo shkollë të shërbejë si një katalizator për inovacion, bashkëpunim dhe ndikim të mëtejshëm në fushën e TIK-ut, si në Kosovë ashtu edhe më gjerë, duke i inkurajuar studentët tanë që ta përqafojnë këtë mundësi me entuziazëm, kuriozitet dhe përkushtim.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, z. Kurti, tha se ky projekt sjell bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet universiteteve prestigjioze evropiane dhe universiteteve në vendin tonë. “Kjo shkollë, që po e inaugurojmë sot, është një bllok i rëndësishëm në ndërtimin e progresit që e synojmë. Ky program ndihmon në zhvillimin e ideve inovative, të cilat kanë potencial krijimin e produkteve të reja, bizneseve dhe profesioneve, të cilat e ndihmojnë këtë vend të bëjë transformimin e nevojshëm”, tha kryeministri Kurti.

Inaugurimi i shkollës së TIK-ut në Kosovë u përshëndet edhe nga ambasadori i Norvegjisë, shkëlqesia e tij, z. Jens Erik Grondahl, si dhe përfaqësuesja nga ambasada e Suedisë në Kosovë, znj. Katja Holboll.  

Për rëndësinë e shkollës së TIK-ut në Kosovë folën edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Berdyna, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi. Të dyja theksuan përkushtimin e ministrive për ngritje të kapaciteteve në fushën e teknologjisë dhe komunikimit.

Ndërkaq, rektorët dhe përfaqësuesit e universiteteve partnere në këtë projekt, prof. Peter Aronsson nga Universiteti Linnaeus, prof. Samedin Krabaj, nga Universiteti i Prizrenit, prof. Edmond Hajrizi nga kolegji UBT, z. Nikos Zaharis, drejtor në South East European Research Center si dhe z. Mohamed Abomhara, përfaqësues i Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë, shpalosën angazhimet e tyre për themelimin e kësaj shkolle dhe theksuan edhe gatishmërinë e tyre për avancim tutje të misionit të saj.

Në fund të ceremonisë, prezantuan Christina Keller nga Shkolla Suedeze e Menaxhmentit dhe IT-së dhe Anita Mirijamdotter, koordinatore e projektit PhDICTKES, e cila shfaqi para të pranishmëve udhëtimin e tërësishëm të projektit dhe rezultatet e arritura përmes tij deri në lansimin e shkollës.

Mbylljen e ceremonisë e bëri profesori Drilon Bunjaku, njëherësh drejtor i Shkollës së TIK-ut në Kosovë. Ai shpalosi objektivat e kësaj shkolle, të cilat, ndër të tjerash, përfshijnë: ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë në TIK; fasilitimin dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për ndërlidhje të arsimit të lartë me industrinë; organizimi i aktiviteteve shkencore për studentët e doktoratës, ndërkombëtarizimin e punës shkencore, e të tjera qëllime.

Shkolla është themeluar në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe implementimi i një programi të TIK-ut për Sistemin e Arsimit në Kosovë – PhDICTKES”, pjesë e Erasmus+ Key Action 2.